Botë

Viti i ri 2017, mbërriti në Zelandën e re dhe Australi

31.12.2016 16:48

Ndër vendet e para në botë që tanimë kanë hyrë në vitin 2017, janë Zelanda e re, ishujt e Kiribatit dhe Samoas...

Ndër vendet e para në botë që tanimë kanë hyrë në vitin 2017, janë Zelanda e re, ishujt e Kiribatit dhe Samoas, pjesët më lindore të Rusisë dhe pas tyre festoi edhe Australia, e më pas Japonia.
 
Në Sydney të Australisë është shfaqur një spektakël i vërtetë fishekzjarresh, megjithse nata e ndërrimit të viteve u krye nën masa tepër të larta sigurie.
 
Në Sidnej, mëse 2 mijë policë po patrullojnë zonën bregdetare pas një serie kontrollesh antiterror.
 
Një 40-vjeçar u arrestua më herët në aeroportin e Sidnejit për shkak se kishte kërcënuar online për sulme gjatë festimeve të vitit të ri.
 
Mëse 1 milionë e gjysmë persona janë mbledhur për të parë shfaqjen e hedhjes së 7 tonë fishekzjarreve.
 
Si zakonisht, një shfaqje e jashtëzakonshme me perdorimin e mjeteve piroteknike është krijuar në mesnatë në Auckland të Zelandës së Re, sekondat e parë të vitit të ri.
 
Ndërsa, masat e sigurisë janë shtuar sidmos në qytete që tashmë janë goditur nga sulmet terroriste në Evropë si Berlini në Gjermani dhe Nica në Francë.
 
Në SHBA, rreth 300 mijë njerëz pritet të mblidhen në Las Vegas për të festuar Vitin e Ri, ndërsa aty pritet të përformojnë shumë artistë të muzikës Pop dhe Rep.
 
Ky koncert raportohet se po e sfidon seriozisht festën që organizohet në Sheshin Times të qytetit të New Yorkut, që rregullisht konsiderohet si ngjarja më e bukur për këtë festë në SHBA dhe botë.