MAQEDONI

Debat: Anashkalimi i fituesit sjell krizë

06.05.2014 18:42

Nëse partia shqiptare fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, anashkalohet në formimin e Qeverisë...

Nëse partia shqiptare fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, anashkalohet në formimin e Qeverisë nga partia fituese në bllokun maqedonas, mund të shkaktojë kriza të reja në  Maqedoni, të cilat do të shkojnë në dëm të Shtetit, por edhe të qytetarëve.  
 
Kështu komentojnë analistët politik, të cilët vlerësojnë se për këto raste duhet të vendoset në bazë të dhënies së legjitimitetit nga populli. 
Publicisti Emin Azemi vlerëson se zhvillimet aktuale paraqesin një tendencë kthimi prapa.
 
“Shqiptarët ende nuk po arrijnë të kenë një opozitë të mirëfilltë. Një lidership që ka të bëjë me demokraci, por jo me interesa personale ordinere. Ka ardhur koha të formohet një opozitë e mirëfilltë, që nesër të mos vijë puna deri te ankandi që përmenda. Çështja tjetër që nuk përmendet ende, është fakti se zyrtarisht mandatar nuk ka”, deklaroi publicisti Emin Azemi.
 
Ish-ambasadori Alajdin Demiri, ka deklaruar se krizave të shumta që ka vendi, u shtohet edhe ajo politike. 
 
“Kriza e parë është kriza e pashpallur e anëtarësimit në NATO dhe BE, negociatat, nuk ndodhi asgjë dhe kjo krizë është reale, mirëpo VMRO nuk e shpall si krizë, tash gjatë fushatës tregoi se nuk ka ndërmend të anëtarësohet në BE, të anëtarësohet në NATO, mirëpo ka ndërmend të largohet”, u shpreh analisti politik, Alajdin Demiri.
 
Analisti nga Prishtina dhe ish-përfaqësuesi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti, vëren se Maqedonia, ashtu siç thonë edhe raportet e institucioneve ndërkombëtare, në 6 vitet e fundit po shënon regres thuajse në të gjitha sferat. Ai shtoi se është për t’u çuditur që sa pak ndikim për Maqedoninë kanë pasur negociatat mes Serbisë dhe Kosovës.
 
“Habitem se sa pak ndikim pozitiv kanë pasur negociatat Prishtinë-Beograd për Maqedoninë, mos hartoni se Hashim Thaçi i Kosovës negocion me Daçiçin dhe Vuçiçin, të cilët kanë qenë pjesë e aparatit të luftës së Millosheviçit në Kosovë. Për faktin se Daçiçi dhe Vuçiçi fituan legalitetin dhe legjitimitetin e tyre për të përfaqësuar Shtetin e vet”, tha analisti politik nga Kosova, Naim Rashiti.
 
Lura Pollozhani nga Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve në Prishtinë, vlerësoi se partitë politike maqedonase duhet të jenë të kujdesshme në respektimin e vullnetit të shqiptarëve, pasi pas çdo cikli zgjedhor ato mund të humbin besimin nga qytetarët shqiptarë në Maqedoni.
 
“Nëse sa herë ka zgjedhje, ne duhet të pyesim a do të hyjë apo nuk do të hyjë në Qeveri partia me shumicë të votave të shqiptarëve, kjo do të thotë se në çdo zgjedhje ne do të kemi të njëjtin dyshim dhe të njëjtin mosbesim kundër faktorit maqedonas, ku kjo nuk duhet të ekzistojë nëse me të vërtetë jemi këtu për të ndërtuar një Shtet multietnik, sepse fatkeqësisht jemi akoma në fazën e ndërtimit të Shtetit në Maqedoni dhe kjo fazë akoma nuk ka arritur nivelet e duhura dhe kjo vjen nga fakti që partitë politike qeverisëse po përhapin frymën e mosbesimit, ku në fakt MO-ja do duhej të ishte një frymë konsenzuale”, potencoi analistja politike, Lura Pollozhani.
 
Debati për legjitimitetin u organizua nga Instituti për Hulumtimin e Politikave dhe Qeverisjes së Mirë, pas paralajmërimeve të VMRO-DPMNE-së se mund të anashkalojë në formimin e Qeverisë partinë fituese shqiptare nëse ajo nuk heq dorë nga kërkesat e saj.
 
MEFAIL ISMAILI