KSHZ

KSHZ ndau certifikatat, opozita bojkotoi

07.05.2014 18:21

Ashtu siç ishte paralajmëruar, asnjë nga deputetët e LSDM-së dhe RDK-së, në kohën e caktuar nga ana e KSHZ-së për ndarjen e certifikatave, nuk u paraqitën për marrjen e certifikatave……..

Komisioni Shtetëror Zgjedhor edhe zyrtarisht i ndau certifikatat e deputetëve për mandatet e fituara për partitë politike. Ashtu siç ishte paralajmëruar, asnjë nga deputetët e LSDM-së dhe RDK-së, në kohën e caktuar nga ana e KSHZ-së për ndarjen e certifikatave, nuk u paraqitën për marrjen e certifikatave.

Por nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi, bëri të ditur se certifikatat deputetëve të LSDM-së dhe të RDK-së do t’ua dërgojë nëpërmjet postës, pasi që një gjë të tillë e ka obligim ligjor. Deputetët shqiptarë për herë të parë certifikatat i morën në gjuhën shqipe.

Nënkryetari Subhi Jakupi, i cili në mungesë të kryetarit të KSHZ-së, Rillkovski, i ndau certifikatat, tha se pas koordinimit dhe harmonizimit të qëndrimeve të anëtarëve të KSHZ-së dhe në bazë të deklaratës që kanë deklaruar për përkatësinë etnike, vendosëm që certifikatat të jenë edhe në gjuhën shqipe për deputetët shqiptarë.        

“Kësaj radhe ne anëtarët e KSHZ-së gjetëm një harmoni në mes të gjithë neve anëtarëve, që të implementojmë normat e Kodit Zgjedhor që duhet të interpretohen. Ne me konsensus të plotë, gjithë kandidatëve të cilët përmes deklaratave i kanë deklaruar përkatësitë etnike që kandidohen dhe ne i kemi përgatitur certifikatat në gjuhën që ata u takojnë”, deklaroi nënkryetari i KSHZ-së,  Subhi Jakupi.      

BDI vlerësoi se ka pasur një bashkëpunim korrekt me KSHZ-në gjatë fushatës zgjedhore dhe gjatë ditës së zgjedhjeve, ndërsa PDSH shprehi keqardhje për mungesën e kryetarit të KSHZ-së, me sqarimin se certifikatat duhet t’i marrin nga nënkryetari.

Liljana Popovska, në emër të Koalicionit Për një Maqedoni më të Mirë,  tha se edhe këto zgjedhje reflektojnë vullnetin e qytetarëve.

“Nga BDI në këto zgjedhje vijnë me numër rekord të mandateve,  19 deputet nuk ka pasur asnjëherë, prandaj ne me të drejtë i vlerësojmë më të suksesshmet”, theksoi nga BDI, Xhevat Ademi.

“Është shumë serioze të refuzosh mandat deputeti, mendoj se kjo është mosrespektim i vullnetit të qytetarëve  për votën që ta kanë besuar. Mendoj se në interes të një Maqedonie stabile dhe demokratike, është që të gjithë të marrim pjesë në Kuvend edhe pozitë edhe opozitë”, u shpreh nga Koalicioni Për një Maqedoni më të Mirë, Liljana Popovska.

Në këtë seancë solemne nuk ishte i pranishëm kryetari i KSHZ-së, Nikolla Rillkovski, i cili e ka njoftuar nënkryetarin për mungesën pa treguar arsyet e mungesës, të pranishëm nuk ishin edhe anëtarët tjerë të LSDM-së. (Afrim Tanallari, TVM2)