Sulmi në Stamboll, u shkrehën 180 plumba, ISIS merr përgjegjësinë
Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë e sulmit në klubin e natës në Stamboll...

Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin në klubin e natës në Stamboll gjatë festimit të ndërrimit të viteve që u mori jetën 39 personave.
Në një deklaratë, ISIS e quan ushtarin e vet personin e armatosur që shkaktoi masakrën. Autori u fut në lokalin e natës “Reina” dhe qëlloi me breshëri ndaj qytetarëve duke vrarë 39 prej tyre dhe plagosi 69.
Sulmuesi i paidentifikuar mbërriti me taksi përpara se të nxitonte përmes hyrjes të klubit me një armë me tytë të gjatë që ai e kishte marrë nga bagazhi i automjetit. Më pas u largua dhe është ende në kërkim nga policia.
Pamjet e kamerave të sigurisë shfaqin sulmuesin e armatosur duke shtënë jashtë klubit të natës para se të hynte brenda e të vriste së paku 39 persona.
Dy viktima e tij të para kanë qenë roja e sigurisë dhe një turist arabo-izraelit.
Besohet se në kohën e sulmit, në klub gjendeshin të paktën 500 persona që po festonin ndërrimin e viteve. Hurriyet dhe gazeta Karar kanë cituar zyrtarë të paidentifikuar të sigurisë duke thënë se autoritetet kanë përcaktuar se personi i armatosur, vjen nga një vend i Azisë Qendrore dhe besohet të jetë nga Uzbekistani ose Kirgistani.
Shtetasit e huaj që humbën jetën në sulmin e armatosur llogariten të jenë 24, apo gati dy të tretat e viktimave të sulmit.Shumë prej tyre ishin nga Lindja e Mesme, duke përfshirë Jordanin, Libanin dhe Arabinë Saudite, edhe pse vende nga India deri në Belgjikë njoftuan se qytetarë të tyre janë në mesin e viktimave.
Policia turke thuhet se ka gjetur ngjashmëri me sulmin e qershorit 2016 në aeroportin Ataturk dhe është duke hetuar nëse i njëjti person mund të ketë kryer dy sulmet.
Mediat turke raportojnë se agresori që vrau 39 personat në klubin Reina ka shkrehur rreth 180 plumba. (Vlora Latifi - Topojani, TVM2)
