Vendime për 139 përkthyes gjyqësor
Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti, sot ka ndarë vendime për 139 përkthyes gjyqësor për 19 gjuhë. Ky është sesioni i 13-të i organizimit të provimit për kontrollimin e diturive për gjuhët e huaja dhe gjuhët e bashkësive që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë………

Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti, sot ka ndarë vendime për 139 përkthyes gjyqësor për 19 gjuhë. Ky është sesioni i 13-të i organizimit të provimit për kontrollimin e diturive për gjuhët e huaja dhe gjuhët e bashkësive që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë. Në konkursin e fundit janë pranuar 8 shqiptarë nga gjithsej 8 të paraqitur.
“Në këtë mënyrë edhe Republika e Maqedonisë po e përmirëson gjendjen e plotësimit të kritereve të BE-së në zbatimin e shumëgjuhësisë dhe përdorimit publik të gjuhëve si politikë e caktuar e Unionit. Reformat në gjyqësorin, në planin e sigurimit të së drejtës së përkthyesit gjyqësor, me ndryshimet e bëra në ligjet dhe aktet nënligjore, kontribuuan për të fituar përkthyes të trajnuar në mënyrë adekuate dhe me përvojë”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti.
Ministri Bexheti tha gjithashtu se në dikasterin e drejtësisë po respektohet përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve, ku njëkohësisht theksoi se ka avancim të madh të shqiptarëve si në Ministrinë e Drejtësisë ashtu edhe në Gjykatat e vendit.
“Nga viti 2008 e deri më tani janë zbatuar 13 sesione dhe provimin kanë dhënë 1 589 përkthyes gjyqësorë për 24 gjuhë të huaja dhe gjuhë të bashkësive etnike që nuk janë shumicë në R. M. dhe të njëjtit janë vendosur në 27 Gjykata Themelore në vend”, - shtoi më tej ministri Bexheti. (Florije Kamberi, TVM2)
