Botë
Donald Trump: E padrejtë të akuzohet Moska, nëse ka paqartësi
02.01.2017 13:24
Të 35 diplomatët ruse, të cilët u dëbuan nga SHBA-të pas urdhërit të presidentit Barack Obama, janë larguar nga Uashingtoni...

“Aeroplani është nisur”, dha dje lajmin zëdhënësi i ambasadës ruse në Uashington, Nikolai Lakhonin.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ndërkohë shprehu përsëri dyshime për konkluzionin e agjencive amerikane të zbulimit se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale përmes piraterisë kibernetike.
Trump, u tha gazetarëve se do që burimet amerikane të zbulimit të jenë të sigurta, sepse kjo është një akuzë shumë serioze dhe se ai do që ata të jenë të bindur. Ai tha se do të ishte e “padrejtë" të bëheshin akuza kundër Moskës, nëse ka paqartësi.
Presidenti i zgjedhur tha se ai ka më shumë njohuri për akuzën e Uashingtonit kundër Rusisë, se sa ç’është bërë publike.
"Pirateria kibernetike është shumë e vështirë të provohet. Kështu që mund të jetë dikush tjetër. Unë gjithashtu di gjëra që të tjerët nuk i dinë, prandaj nuk mund të jenë të sigurtë për situatën”, shprehet presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump.
Fëmijët e diplomatëve rusë që dëbuar nga Shtetet e Bashkuara , janë ftuar që të marrin pjesë në një festë në Kremlin.
Disa zyrtarë janë ankuar se dëbimi ua ka prishur festimet familjare të Vitit të Ri. Putin më herët tha se nuk do të hakmerret ndaj SHBA-ve por do të presë vendimet e presidencës së re amerikane që fillon me punë në 20 Janar.
GAZMEND REXHEPI
