Sulmi në Stamboll, identifikohet autori, filmoi veten në sheshin Taksim
Identifikohet autori i atentatit të Stambollit ku mbetën të vrarë 39 persona...

Identifikohet autori i atentatit të Stambollit ku mbetën të vrarë 39 persona, 25 prej tyre shtetas të huaj.
Ai quhet Iakhe Mashrapov, 38 vjeç me origjinë nga Kirgistani.Pasaporta e tij është lëshuar më 21 tetor nga Republika e Kirgistan, një muaj para mbërritjes së tij në Turqi. Policia ka arrestuar gruan e tij .
Sipas të përditshmes turke Haberturk gruaja është arrestuar në provincën konservatore të Konyas, në Turqinë qendrore, ku autori së bashku me dy fëmijët e tij jetonte prej nëntorit, pasi kishte ardhur nga Kirgistani.
“Për sulmin e mësova nga televizori. Nuk e dija që bashkëshorti im ishte simpatizant i ISIS” mësohet të ketë thënë gruaja në polici.
Mediat turke ndërkohë publikuan një video të realizuar prej autorit të sulmit, që tregon agresorin duke filmuar veten në sheshin “Taksim.
Nuk është ende e qartë nëse xhirimi është bërë përpara apo pas masakrës në klubin “Reina”, të marrë përsipër nga Shteti Islamik.
Gazeta turke “Haber” pretendon se i dyshuari mund të jetë pjesëtar i minoritetit mysliman ujgur të Kinës. Gjithmonë sipas gazetës, autori I sulmit ka mbërritur në qytetin turk të Konias bashkë me të shoqen dhe dy fëmijët. 12 vetë janë arrestuar deri tani pas bastisjeve policore në mbarë Stambollin.
Mbi 500 veta ishin në klub në atë kohë dhe disa prej tyre u hodhën në ujërat e Bosforit për t'u shpëtuar plumbave.
Autoritetet që janë vënë në kërkim të sulmuesit thanë se ai mund të jetë përzier me njerëzit që iknin nga klubi. Përveç 39 të vrarëve, rreth 70 veta mbetën të plagosur. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
