Nimic: Nuk ka përparim konkret për emrin
Sipas tij, roli i ndërmjetësit në negociata i ka kufijtë e caktuara dhe fjalën e fundit e kanë qeveritë e palëve në kontest……

Nuk ka përparim konkret në bisedimet bilaterale rreth çështjes së emrit, ka deklaruar ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic, pas takimit me përfaqësuesit e Shkupit dhe Athinës në Nju Jork, Zoran Jolevski dhe Adamantios Vasilakis.
Sipas tij, roli i ndërmjetësit në negociata i ka kufijtë e caktuara dhe fjalën e fundit e kanë qeveritë e palëve në kontest. Megjithatë, sipas tij, palët kanë interesim për zgjidhjen e emrit, por edhe dallime në konceptet e tyre.
“Pozicionet e të dyja qeverive janë të qarta. Unë dhashë shumë propozime dhe ka fusha ku qeveritë nuk pajtohen aq shumë në aspekt të asaj që unë kam propozuar. Do të kërkojmë zgjidhje në ato fusha nëse do të ketë koncepte të reja që të arrihet një qasje për problemin. Duke e pasur parasysh situatën në botë dhe çështjen e sigurisë, mendoj se është koha e duhur për udhëheqësit e të dyja vendeve, të shohin nëse ka mënyra të reja për zgjidhjen e këtij kontesti”, deklaroi ndërmjetësi për çështjen e emrit, Metju Nimic.
Nimic do të vizitojë Shkupin dhe Athinën në javën e parë të muajit korrik, pasi që të kenë mbaruar zgjedhjet lokale në Greqi dhe zgjedhjet për eurodeputet në Bashkimin Evropian.
Nimic ka thënë se pas përfundimit të kësaj periudhe dhe rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve në Maqedoni dhe Greqi, varësisht gatishmërive të qeverive për arritjen e kompromisit, mund të shpresohet për rezultat pozitiv gjatë samitit të NATO–s në muajin shtator. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
