Shënohet 7 maji, dita e policisë
Një nga arsyet për të mos pasur besim te policia, siç theksojnë qytetarët, është se ata shpesh herë dinë të punojnë në mënyrë selektive ndaj zbardhjes së incidenteve…….

Një nga arsyet për të mos pasur besim te policia, siç theksojnë qytetarët, është se ata shpesh herë dinë të punojnë në mënyrë selektive ndaj zbardhjes së incidenteve. Të anketuarit e TVM-2 nuk e dinin që sot në fakt është dita e policisë.
“Nuk janë askund, nuk i shoh me sy. Më duket çdo herë jeta e pasigurt, sepse nuk ke as ku të ankohesh, as kujt t’i afrohesh për ndihmë, për shembull një problem nuk di kujt t’i drejtohesh”, - u shpreh një qytetarë.
“Besim te policia kemi edhe s’kemi, sepse nuk ndjehemi të sigurt”, tha një qytetarë tjetër.
“Jo në çdo rast, janë në raste të caktuara. Për shembull kur bëhen incidentet te shqiptarët nuk janë prezent, ndërsa kur bëhen incidentet te maqedonasit ata janë prezent”, theksoi një qytetarë.
Ndryshe nga të anketuarit, ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, thotë se si kurrë më parë Shteti është më i sigurt dhe më i organizuar në parandalimin e krimeve të rënda. Sipas saj, pjesëtarët e policisë ushtrojnë profesionalizëm maksimal, pasi që, siç theksoi ajo, Maqedonia në periudhën e fundit shënoi rënie të krimeve të rënda.
“Rezultati i angazhimit tonë është më se i dukshëm. Republika e Maqedonisë sot është më e sigurt. Vitin e fundit shënojmë rënie të krimeve sidomos te krimet e rënda, siç janë vrasjet. Prej 7 majit vitin e kaluar, deri në ditën e sotme, kemi vetëm 21 vrasje ose e thënë ndryshe kjo i bie që kemi një vrasje në 100 mijë banorë, që është në nivelin më të ulët në Evropë. Në rënie të vazhdueshme janë edhe krimet që kanë të bëjnë me kërcënimet, rrëmbimet dhe shkeljet e rendit publik”, - deklaroi ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska.
Me rastin e ditës së policisë, 7 majit, sot u organizuan edhe disa solemnitete të ndryshme në kazermën e Shkupit “Ilinden”. Delegacionet e MPB-së tradicionalisht vizituan shtëpinë e fëmijëve pa prindër, “11 Tetorin”, në Shkup dhe në Manastir, ku fëmijëve pa prindër u shpërndanë dhurata. (Rexhep Qamili, TVM2)
