SHBA, kongresi i ri bën betimin
Kongresi i 115 i SHBA bëri betimin në Uashington...

Kongresi i 115 i SHBA bëri betimin në Uashington. Presidenti i zgjedhur Donald Trump do ta fillojë mandatin e tij me një Kongres të kontrolluar nga republikanët. Republikani Paul Ryan u zgjodh pa vështirësi kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.
“Vetëm para pak muajsh, u zhvillua gara zgjedhore në një situatë të tensionuar. Në situate të tilla, pyetja llogjike është nëse sistemi do të vazhdojë të durojë gjithë këtë presion. Dhe sic doli, sistemi mbijetoi. Dua ti them popullit Amerikan se degjuam zërin tuaj dhe do të bëjmë atë që ëhstë e mirë për ju. Ne e marrim shumë seriozisht besimin që ju na dhatë” – tha Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan.
Në Senat, republikanët kanë paraqitur një projektligj që do t’i paraprijë përpjekjes së tyre për të shfuqizuar reformën e kujdesit shëndetësor të Presidentit Obama.
Por në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët do t’u bëjnë rezistencë planeve të kryetarit Paul Ryan, për të reduktuar programet qeveritare të asistencës.
"Demokratët në Kongres dhe miliona amerikanë në të gjithë vendin do ta bëjnë shumë të qartë se nuk duan shkurtime në programin e kujdesit shëndetësor për të moshuarit” – deklaroi Nancy Pelosi, udhëheqëse e Demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve.
Por megjithë zotimet ambicioze që bëri gjatë fushatës për reforma në kujdesin shëndetësor, në politikat fiskale si dhe për shkurtime buxhetore, asgjë nuk është e garantuar për presidentin e ardhshëm.
Kandidaturat e Trump për poste kabineti kërkojnë konfirmim në Senat. Pritet që të dyja partitë të ngrenë pyetje të forta për këta kandidatë, shumë prej të cilëve nuk kanë eksperiencë në qeveri.
Shkurtimet do të binin ndesh me premtimet e Trumpit për të mos i prekur këto programe. Ndërsa për tregtinë ai mund të ndeshë kundërshtime të forta nga vetë republikanët. (Gyltene Sinani, TVM2)
