POZITË-OPOZITË

Brukseli apelon për dialog pushtet-opozitë

07.05.2014 19:12

Për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, pas zgjedhjeve të 27 prillit, është i nevojshëm dialog mes pozitës dhe opozitës, deklaron Peter Stano, zëdhënësi i komisarit për Zgjerim, Shtefan Fyle….

Për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, pas zgjedhjeve të 27 prillit, është i nevojshëm dialog mes pozitës dhe opozitës, deklaron  Peter Stano, zëdhënësi i komisarit për Zgjerim, Shtefan Fyle.

Sipas tij, Brukseli zyrtar rekomandon angazhim e jo tërheqje. Stano në intervistën për portalin “Faktor”, duke u përgjigjur në pyetjen se cilat do të ishin pasojat politike me bojkotin e LSDM-së dhe nëse Maqedonia është para një krize politike, ka thënë se  kjo është një situatë e palakmueshme dhe  nuk janë larguar të metat e nënvizuara në tre ciklet e mëhershme.

"Ne jemi të vetëdijshëm se partia opozitare është e demoralizuar me procesin zgjedhor dhe nuk i pranon rezultatet. Kjo është një situatë e pafat. Ne preferojmë angazhim dhe jo tërheqje. Ne do të vazhdojmë që t’i inkurajojmë liderët politik, të angazhohen në frymë konstruktive për zgjidhjen e problemeve aktuale”, deklaroi Petar Stano, zëdhënësi i komisarit për Zgjerim, Shtefan Fyle.

Stano nuk ka dashur të komentojë nëse Bashkimi Evropian do të jetë një prej ndërmjetësuesve për tejkalimin e krizës politike në vend.

“Nuk dua të spekuloj për ndërhyrjen nga jashtë, por më tepër dua të them për nevojën e angazhimit konstruktiv dhe dialog në mes Qeverisë dhe opozitës”, tha Stano.

I pyetur se me ç’farë agjende do të vijë komisionari për Zgjerimin, Stefan Fyle, në qershor në Shkup dhe si do të ndikojë procesi zgjedhor në dialogun në nivel të lartë mes Maqedonisë dhe BE-së, Stano është shprehur se  koha e takimit të ardhshëm  të dialogut në nivel të lartë ose çfarëdo vizite tjetër e Komisionarit Fyle, do të varet nga disa faktorë, duke përfshirë edhe atë se kur Qeveria e re do të jetë e gatshme dhe në gjendje të përqendrohet në prioritetet e reformave. (Sanije Kasami, TVM2)