Kina në alarm “të kuq”, ndotja në Pekin në përmasa shqetësuese

04.01.2017 14:15

Kryeqyteti kinez ka shpallur nivelin më të lartë të alarmit, “të kuqin”....

Kryeqyteti kinez ka shpallur nivelin më të lartë të alarmit, “të kuqin”,  për mjegullën e cila tashmë disa javë ka “gëlltitur” këtë vend, duke detyruar autoritetet të mbyllin autostradat  brenda dhe jashtë Pekinit, si dhe anulimin e shumë fluturimeve.

Në disa vende shikueshmëria arrin në më pak se 50 metra.

Alarmet e ndotjes janë të zakonshme në Kinën veriore, në veçanti gjatë periudhës së dimrit kur qytetarët shfrytëzojnë qymyr për ngrohje, ky nivel kaq i rrezikshëm lë pasoja afatgjate në shëndet dhe ky është shkaku që  rrugët e Pekinit janë të mbushura më njerëz të cilët kanë vendosur maska për mbrojtje nga rritja në kontinuitet e ndotjes së ajrit.

"Foshnjën time e mbaj në shtëpi dhe nuk e nxjerr jashtë këto ditë. Fëmijët më të rritur dhe pleqtë nuk dalin jashtë. Unë vendos maskë kur shkoj në punë. Nuk dua të dal jashtë në këtë kohë dhe jam në disponim shumë të keq”,- tha Du Xuejing.

"Aktualisht jemi duke menduar për emigrim. Nuk e dimë nëse migrimi si pasojë e ajrit të ndotur është i lejuar dhe jemi duke pritur informacione për këtë. Shpresojmë se ajri të pastrohet, sepse fëmijët dhe pleqtë janë të prekur më shumë. Në fakt ka shumë të sëmurë me kancer në Kinë. Fëmijët që në moshë të re vuajnë nga pneumonia dhe kanë nevojë për trajtim respirator. Kjo është e tmerrshme dhe do të ndikojë në gjeneratat e ardhshme”,- theksoi Chen Shiyuan.

Kina është duke luftuar për vitin e tretë me radhë ndotjen e ajrit, por masat e ndërmarra deri më tani nuk kanë rezultuar të suksesshme, edhe pse në këto masa janë përfshirë mbyllja e shumë industrive të cilat llogariten si ndotësit më të mëdhenj në rrethinën e kryeqytetit kinez.

Në kryeqytet, Enti për mbrojtjen e ambientit kishte shpallur tre ditë alarmi “portokalli”, por kjo gjendje u ndryshua pas raportimit se grimcat e pluhurit kanë kaluar 300 mikrogram për metër kub në shumë vende. (Leunora Kaliqi, TVM2)