Identifikohet autori i sulmit, nuk zbardhet identiteti, por nuk ishte Mashrapov

04.01.2017 14:44

Për disa orë në mediat turke, Ihake Mashrapov, 28-vjeçari nga Kirgistani....

Për disa orë në mediat turke, Ihake Mashrapov, 28-vjeçari nga Kirgistani, ishte lakuar si autor i dyshuar i sulmit që përgjaku festën e Vitit të Ri në Stamboll, por identiteti i vrasësit vazhdon të rrethohet nga misteri.

Mashrapov u mor në pyetje nga policia për shkak të ngjashmërisë me njeriun që shfaqej në foto dhe se më pas u lirua. Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka bërë ndërkohë të ditur se autori i sulmit në një klub nate në Stamboll, ku humbën jetën 39 persona, është identifikuar.

Por, nuk është dhënë asnjë hollësi se për cilin dyshohet. Ai është ende në arrati dhe konsiderohet tejet i rrezikshëm. Në lidhje me sulmin janë arrestuar 27 persona në Izmir, mes tyre edhe gra dhe fëmijë. Edhe 14 persona të tjerë janë ndaluar në lidhje me sulmin, por nuk dihet ku, ndërsa dy u ndalën në aeroportin kryesor të Stambollit. Turqia, ndërkohë, do të jetë edhe për tre muaj në gjendje të jashtëzakonshme, teksa parlamenti votoi vendimin që i mundëson Qeverisë turke të eliminojë elementet e grupeve terroriste në vend.

"Pastrimi i elementeve të rrjetit “Feto” nga shteti ende nuk ka përfunduar. Na duhet të aplikojmë gjendjen e jashtëzakonshme deri në pastrimin e plotë të puçistëve dhe të gjitha grupeve terroriste në vend. Asnjë shtet nuk do të donte të vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme në kontinuitet. Kjo gjendje është e nevojshme për sigurinë kombëtare të shtetit. Dhe shpresoj se ne do të vazhdojmë në mënyrën tonë duke eliminuar shkaqet”,- theksoi zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmus.

Gjatë hetimit për puçistët janë arrestuar mbi 41.000 persona. Masat e sigurisë janë rritur dhe policia ka hapur pika kontrolli ku ndalohen veturat dhe udhëtarët. (Leunora Kaliqi, TVM2)