Maqedoni
Sistemi elektronik i transportit, vazhdojnë radhët e gjata në sportele; NQP - Shkup: Sistemi funksionon, 9 mijë kartela në tre ditë
04.01.2017 15:33
Vazhdon rrëmuja në sportelet e ndërmarrjes së transportit publik në Shkup pas vendosjes së sistemit të ri të pagesës elektronike...

Me kartelat e reja, transporti falas për pensionistët ditën e martë, të premten dhe në fundjavë do të vlejë edhe për transportuesit privatë.
Kjo ka bërë që pensionistët të nxitojnë të marrin kartelat e reja mujore, duke stërmbushur sportelet.
Pensionistët e kanë të paqartë nëse verifikohen kartelat e vjetra apo duhet të nxjerrin mujore të reja.
Ata ankohen edhe se nuk janë informuar në kohë se si të nxjerrin kartelat, e tani duhet të presin në të ftohtë.
“Tani nuk e di a i ndërrojnë apo vetëm i verifikojnë. Ne na kanë thënë se duhet t’i verifikojmë dhe erdhëm që t’i verifikojmë. Mua personalisht nuk më pengon asgjë, pasi që duhet të verifikohen për t’u aplikuar edhe për në autobusët privat”,- deklaroi një qytetar.
“Mendoj se kjo është përmirësim në krahasim me metodën e vjetër, por nuk pres që turma e njerëzve të zvogëlohet. Ne e kemi mentalitetin ashtu, ku ka diku falas të gjithë jemi aty. Por, një gjë nuk e kam të qartë, ja për shembull unë jam turist, dua të hip në autobus dhe të shëtis Shkupin, si do t’ia bëj”,- u shpreh një qytetar.
“Me kartelat elektronike do të ketë më pak turma të njerëzve, e tani pse duet të verifikohen kartelat për të vazhduar edhe për vitin 2017 ka turma, por pastaj mendoj që do të jetë më mirë”,- tha një qytetare.
“Kjo pritje për pensionistët nuk është në rregull, nuk mundemi këtu të presim në këtë të ftohtë. Duhej para kohe këtë ta rregullojnë e jo tani”,- u shpreh një qytetar.
“Ja po pres që ta vazhdoj kartelën elektronike për pensionistë, por sa duhet të presim këtu, a nuk duhej që gjithçka të ishte e rregulluar deri me të parin”,- theksoi një qytetar.
Nga ndërmarrja e qarkullimit publik në Shkup, gjithsesi, janë të kënaqur me mënyrën se si ka filluar të funksionojë ky sistem.
“Nëse merret parasysh se bëhet fjalë për një sistem të madh dhe të kompleksuar, në të cilin prej 1 janarit i kyçëm edhe transportuesit privat... Kemi filluar mirë, duke pasur parasysh se në periudhën e kaluar, kur sistemi funksiononte, kemi dhënë diku rreth 190 mijë kartela. Në tre ditët e para të vitit kemi shitur 9000 kartela, ashtu që për momentin po funksionojmë mirë”,- deklaroi drejtori gjeneral i NQP-Shkup, Igor Janushev.
Kartelat elektronike filluan të përdoren në dhjetor të vitit 2015 dhe gjatë kësaj periudhe ka funksionuar edhe sistemi i vjetër i pagesës. Sistemi i ri elektronik ka për qëllim përmirësimin e funksionimit të transportit publik, rritjen e shpejtësisë dhe cilësisë së transportit në Shkup.
ERSAN PAJAZITI
