Vazhdojnë bisedimet e BDI-së dhe VMRO-së për qeverinë e re
Asnjë informacion për rrjedhën e bisedimeve për formimin e Qeverisë së re mes partive fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, VMRO-DPMNE-së në bllokun maqedonas dhe BDI-së në bllokun politik shqiptar………..

Asnjë informacion për rrjedhën e bisedimeve për formimin e Qeverisë së re mes partive fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, VMRO-DPMNE-së në bllokun maqedonas dhe BDI-së në bllokun politik shqiptar.
As anëtari i grupit negociator i BDI-së, ministri në largim, Blerim Bexheti, nuk zbuloi asnjë detaj nga bisedimet që po zhvillojnë grupet e punës, të cilat kanë për detyrë të zhvillojnë bisedimet rreth ndarjes së pushtetit, sipas modelit “powershare”.
Një parim për qeverisje të mirë konsenzuale mes dy komuniteteve më të mëdha, pavarësisht konceptimit të Republikës si Shtetit, si unitar.
“Bisedimet, si të gjitha bisedimet, kur do të ketë diçka konkrete sigurisht që Bashkimi Demokratik për Integrim do ta njoftojë opinionin”, deklaroi anëtari i grupit negociator, Blerim Bexheti.
Formimi i Qeverisë së re dhe rrjedha e bisedimeve, kanë qenë temë bisede edhe në takimin Ahmeti–Orav në selinë e BDI-së në Tetovë.
“Bisedimet e nisura nga palët që kanë fituar legjitimitetin absolut te dy komunitetet shumicë, BDI dhe VMRO-DPMNE, kanë nisur dhe po zhvillohen në drejtim të harmonizimit të platformave zgjedhore dhe pikëpamjeve për të ardhmen e vendit dhe marrjen e përgjegjësive më të mëdha në këtë mandat”, ka thënë Ahmeti, shkruhet në komunikatën e lëshuar nga Selia Blu.
Sipas Ahmetit, qytetarët shqiptarë kanë vlerësuar drejtë platformën e Bashkimit Demokratik për Integrim bashkë me faktin që BDI ka kërkuar mandat për integrim të vendit në NATO dhe BE, për pajtim, për afrim, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe ndëretnike, si dhe për zhvillim ekonomik.
“Politikat e BDI-së janë afirmative dhe nga projektet që i realizojmë bashkërisht përfitojnë të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë etnike dhe fetare”, ka theksuar Ahmeti, duke veçuar se integrimet Euro-atlantike mbeten prioritet i Bashkimit Demokratik për Integrim.
Ahmeti ka ftuar miqtë në Bruksel dhe Vashington që bashkërisht të punojnë drejt përshpejtimit të këtij procesi në vigjilje të samitit të NATO në muajin shtator. (Shpëtim Nuredini,TVM2)
