Maqedoni
Gripi filloi më herët se zakonisht, institucionet gati për shtimin e pacientëve
04.01.2017 16:49
4200 të sëmurë nga gripi vetëm në javën e fundit të dhjetorit...

720 pacientë janë vetëm në Shkup, 560 në Veles dhe 520 Tetovë. Mjekët apelojnë për kujdesje të veçantë, pasi që normalizim të situatës nuk do të ketë as në javët në vijim.
“Në Republikën e Maqedonisë janë raportuar 4.195 raste të gripit, që është një rritje prej 4.9 herë më shumë krahasuar me javën e kaluar, kur ky numër shkon deri në 853 të sëmurë. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i personave të raportuar është për më shumë herë më i madh, ku janë regjistruar 109 raste. Kemi një fillim të hershëm të gripit, me ç’rast në javët në vazhdim pritet akoma një fluks më i madh i personave të sëmurë”,- deklaroi mjekja, Largime Jusufi - Ballazhi.
Nga Ministria e Shëndetësisë u apelojnë drejtuesve të të gjitha institucioneve shëndetësore që të jenë në gatishmëri dhe me ekipe të kompletuara për t’u dalë në ndihmë pacientëve në nevojë.
“Informojmë të gjitha shtëpitë shëndetësore në vend, në veçanti drejtuesit e spitaleve, të jenë më të kujdesshëm dhe me ekip të kompletuar në punë, të sigurojnë të gjitha ilaçet e nevojshme dhe t’i rishikojnë të gjitha mundësitë për pranimin sa më të madh të pacientëve në nevojë”,- tha Jovanka Kostovska nga Ministria e Shëndetësisë.
Autoritetet shëndetësore thonë se për mospërhapjen e gripit deri në masa epidemie po ndikon pushimi dimëror i nxënësve si dhe personat e vaksinuar në kohë nuk do të jenë të prekur nga gripi. Por, derisa në Maqedoni nuk ka ende epidemi, gripi i ka marrë jetën dy personave në Zagreb të Kroacisë, teksa të sëmurët raportohet të jenë me mijëra.
Epidemi edhe në Greqi, ku është shënuar edhe një rast vdekje si pasojë e gripit. “Larisa” ka dhënë alarmin për 400 të sëmurë në ditë që shtrohen në spital.
Edhe në Shqipëri është shpallur epidemia e gripit dhe është vazhduar edhe për një javë pushimi dimëror për nxënësit dhe administratën.
REXHEP QAMILI
