Maqedoni

Ratifikimi i platformës së përbashkët, partitë me qëndrime të kundërta

04.01.2017 17:38

Liderët shqiptarë nuk do të mbajnë ndonjë takim të ri në Shkup, por platforma për të cilën u ra dakord në Tiranë...

Liderët shqiptarë nuk do të mbajnë ndonjë takim të ri në Shkup, por platforma për të cilën u ra dakord në Tiranë pritet të ratifikohet nga organet partiake dhe më pas partitë, me këto kërkesa të unisuara, t’u qasen bisedimeve për koalicionim dhe formim të qeverisë së re. Por, ende nuk dihet në cilën fazë është ratifikimi i kësaj platforme, derisa afatet për formimin e qeverisë ecin me shpejtësi.
 
Nga BDI thanë dje se 7 janari është dita e fundit ku partitë shqiptare duhet të ratifikojnë platformën e përbashkët, në të kundërtën nuk do të fillojnë negociata për koalicionim me subjektet maqedonase. 
 
Por, Lëvizja BESA, megjithëse pjesëmarrëse në takimin e unifikimit të qëndrimeve, në Tiranë, vazhdon të këmbëngulë se për ta është e papranueshme pjesëmarrja në një qeveri me persona të cilët dyshon Prokuroria Speciale Publike dhe gjykatat ndërkombëtare. Për BESËN gjithsesi primare mbetet barabarësia e shqiptarëve në shtet.
 
“Ne nuk kemi asnjë negociatë me asnjë nga partitë shqiptare në Maqedoni për të hartuar një marrëveshje të përbashkët. Ajo që është e vërtetë është se ne jemi në kontakt me shtetin shqiptar, me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, që të mund të dakordohen pikat themelore të interesit shqiptar në Maqedoni, por pse jo edhe të vetë shtetit të Maqedonisë”,- tha nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi.
 
Nga “Aleanca për shqiptarët” thonë se duhet të bëhet unifikimi i platformës së përbashkët të subjekteve politike duke i materializuar ato në shërbim të interesave të ligjshme të shqiptarëve. 
 
““Aleanca për shqiptarët” mbetet e vendosur në qëndrimet për ta shfrytëzuar momentin e rëndësishëm politik. Jemi këmbëngulës në unifikimin e platformave të përbashkëta të subjekteve politike, duke i materializuar ato në shërbim të interesave të ligjshme të shqiptarëve. Gjuha e përbashkët do të arrihet vetëm me pranimin e pesë pikave kyçe të platformës tonë, pasi me mospranimin e këtyre kushteve asnjëherë nuk mund të arrihet ndonjë marrëveshje me palën maqedonase”,- tha Arlinda Memetaj nga “Aleanca për shqiptarët”.
 
Ende nuk dihet cili është qëndrimi i Partisë Demokratike Shqiptare dhe nëse  do të pranojë të nënshkruajë marrëveshjen e arritur në Tiranë.
 
SANIJE DURAKU