Maqedoni
Intervista e Gruevskit, “Soros” larg OJQ-ve, paraqet kërcënim për Maqedoninë; Millçin: Deklarata, gënjeshtër për t’iu kthyer pushtetit
04.01.2017 18:01
Kryetari i VMRO–DPMNE–së, Nikolla Gruevskim sulmon sërish sektorin joqeveritar të mbështetur nga Fondacioni “Soros”...

Në një intervistë për portalin pro-qeveritar “Republika”, Gruevski thotë se “Soros” është kërcënim për Maqedoninë, pasi që, sipas tij, kundërshtimet në mendime, qëndrime dhe botëkuptime janë vepra të aktivistëve qytetarë, sektorit joqeveritar, Institutit “Shoqëri e Hapur” - Maqedoni dhe të vetë Xhorxh Sorosit, të cilët kanë punuar në kundërshtim me dëshirat e qytetarëve.
Gjithashtu, Gruevski thekson se “Soros” në Maqedoni ka bërë një ushtri moderne, ushtri klasike.
““Soros” i ka kthyer organizatat joqeveritare në ushtri moderne. Sot beteja nuk është me pushkë si para 100 vitesh, por me OJQ, gazetarë të korruptuar dhe me ndikimin e mediave të huaja të fuqishme dhe qeveri të huaja të fuqishme, me qëllim që politikat e tyre drejt një shteti t’i drejtojnë kah qëllimet e tyre. Ky është realiteti dhe për fat të keq kështu vepron “Soros”. Atëherë të bëjnë çfarë të duan. Të bëjnë kriminel, vjedhës, tradhtar, idiot, të paaftë, mostër, gjithçka që do t’u kujtohet. Më pas del në zgjedhje, të nxjerrin 300 afera, një grumbull gënjeshtra dhe dezinformata, një gjë thua ndërkaq tjetër transmetohet”,- është shprehur midis tjerash Gruevski.
E ashtuquajtura mega –intervisë e Gruevskit ka hasur në reagime të shumta. Ish-drejtori i Fondacionit “Soros”, Vlladimir Millçin, thotë se bëhet fjalë për gënjeshtra të Gruevskit për t’iu kthyer pushtetit.
“Intervista e ish-kryeministrit Gruevski bazohet në disa gënjeshtra. E para se i gjithë sektori civil në Maqedoni ka qenë i kontrolluar nga Fondacioni “Soros” që absolutisht nuk është e vërtetë, pasi që në Maqedoni janë prezentë edhe donatorë të tjerë sikurse ajo zvicerane, USAID-i dhe programe britanike. As protestat e qytetarëve nuk kanë nisur për shkak të parave të “Sorosit”, por si reaksion i keqpërdorimeve të pushtetit. Ato nisën në fund të 2008-ës me protestat e studentëve të Fakultetit arkitektonik dhe më pas protesta në shesh kundër ndërtimeve të objekteve fetare, të cilat nuk kanë të bëjnë me Fondacionin “Soros”. Storja për ushtrinë klasike apo moderne është një nga armët e Gruevskit me të cilën ai krijon armiq të brendshëm dhe të jashtëm dhe ka hapur aq shumë luftëra me të cilat dëshiron që të mbajë Maqedoninë në frikë për t’iu kthyer pushtetit”,- tha ish-drejtor i Fondacionit “Soros”, Vlladimir Millçin.
Millçin konsideron se Gruevski s’mund të manipulojë me këtë instrument dhe kjo u dëshmua në zgjedhjet e fundit. Për vetëm 20 ditë kjo është hera e dytë që lideri i VMRO-DPMNE-së shprehet kundër organizatave joqeveritare të drejtuara nga “Sorosi”.
Në prag të zgjedhjeve, Drejtoria e të ardhurave publike filloi të hetojë punën e sektorit civil, ndërkaq aksioni zgjati deri në fund të muajit.
MERAL ISMAILI
