EUROSONG 2014

Shqipëria nuk u kualifikua në finalen e Evrovizionit

07.05.2014 19:28

Shqipëria, e cila u përfaqësua nga Hersi Matmuja, nuk mundi të marrë votat e mjaftueshme nga publiku evropian dhe juria e spektaklit të Kopenhagenit të Danimarkës……

As këtë vit Shqipëria nuk u kualifikua në finalen e Festivalit Evropian të Këngës, duke u eliminuar në natën e parë gjysmëfinale. Shqipëria, e cila u përfaqësua nga Hersi Matmuja, nuk mundi të marrë votat e mjaftueshme nga publiku evropian dhe juria e spektaklit të Kopenhagenit të Danimarkës.

Këngëtarja shqiptare u prezantua me këngën “Zemërimi i një nate “ose “One nights anger “, e cila mbeti jashtë dhjetëshes që do të prezantohet në mbrëmjen finale të këtij spektakli, që do të mbahet më 10 maj.

Të njëjtin fat e kishte Shqipëria edhe vitin e kaluar, pasi edhe dyshja Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko u eliminua në gjysmëfinale. Ndërkohë 10 finalistët nga 16 shtete që u prezantuan janë: Mali i Zi , Hungaria, Rusia, Armenia, Azerbajxhani, San Marino, Ukraina, Suedia, Holanda dhe Islanda.

Nesër pritet që të bëhet përzgjedhja e konkurruesve të natës së dytë të gjysmëfinales, ku mes tyre gjendet edhe Maqedonia, e cila do të përfaqësohet me tingujt e këngës “To the sky “ nga Tijana Dapçeviq. (Zejxhane Osmani, TVM2)