Bushati: Haradinaj të lirohet menjëherë
Ndaj arrestimit të Ramush Haradinajt në Francë ka reaguar...

Ndaj arrestimit të Ramush Haradinajt në Francë ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati.
“Ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë bazuar në një urdhërarresti të 2004 të lëshuar nga Serbia, është i dënueshëm, kur dihet botërisht se drejtësia ndërkombëtare e ka çliruar atë nga të gjitha akuzat. I bëj thirrje autoriteteve franceze, si një prej shteteve me kontribut thelbësor për Kosovën shtet, të qartësojnë situatën duke liruar menjëherë Ramush Haradinajn”,- theksoi Bushati. Sipas ministrit Bushati, “çdo përpjekje e Serbisë për të përbaltur luftën çlirimtare të Kosovës do të dështojë, sikurse dështuan politikat genocidiste të Millosheviçit në Kosovë, të cilave Ramushi dhe UÇK-ja ju kundërvunë”.
“Ky akt për fat të keq dëmton procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Proces, i cili kërkon gjurmë provash të pakundërshtueshme, e jo përbetime artificiale, për të ecur me vendosmëri përpara, duke hequr dorë nga provokimet dhe aplikimi i metodave që s’kanë aspak lidhje me të ardhmen e përbashkët të Kosovës e Serbisë në familjen europiane”,- theksoi ministri Bushati.
