Sulmi në Stamboll, Turqia akuzon shërbimet e huaja të inteligjencës; “The Guardian”: Atentat ndaj stilit të jetesës
Zëvendëskryeministri turk, Numan Kurtulmus, akuzon shërbimet e huaja të inteligjencës...

Zëvendëskryeministri turk, Numan Kurtulmus, akuzon shërbimet e huaja të inteligjencës se kanë dorë në vrasjen e 39 personave dhe plagosjen e 69 të tjerëve në klubin “Reina” të Stambollit. “Masakra e mbrëmjes së ndërrimit të viteve në Stamboll ishte e përgatitur dhe tepër profesionale, aq sa mund të mendojmë se ajo është mbështetur nga shërbimet e inteligjencës së huaj”,- deklaroi Kurtumlus për “Hurriyet Daily News”, por pa përmendur asnjë emër shteti të dyshuar. Edhe pse nuk bëhet i ditur emri, autoritetet thanë se janë në dijeni të identitetit të terroristit dhe po punojnë për ta vënë në pranga.
Mediat turke thanë se emri i koduar që terroristi përdor brenda qarqeve të ISIS është “Abu Muhammed Horasani”.
Ai ka hyrë nga Siria në Turqi në 20 nëntor dhe është vendosur në Stamboll bashkë me familjen. Horasani thuhet se ka marrë një taksi për t’u arratisur nga skena e vrasjes.
Deri tani janë vënë në pranga 40 persona, të cilët dyshohet të kenë lidhje me masakrën.
Ndërkohë “The Guardian” shkruan se ky sulm është një atentat ndaj mënyrës së jetesës në Turqi. Deri më tani, objektivi i xhihadistëve ishin kurdët, alavitët dhe majtistët.
Disa javë përpara Vitit të Ri, organizatat islamike pro-qeveritare vendosën në disa qytete të vendit banera ku shkruhej: “myslimanët nuk i festojnë Krishtlindjet”.
Turqit këshilloheshin të mos shpenzonin para me kremtime për festat e fundvitit. Në mediat sociale, madje kishte edhe kërcënime me vdekje për ata që planifikonin ndonjë kremtim, shkruan “The Guardian”.
Policia në Stamboll kishte mobilizuar 17.500 forca me qëllim të parandalohej ndonjë masakër.
Në “Reina” ndodhej vetëm një polic i qëlluar lehtësisht prej atentatorit, që urrejtjen e tij e lëshoi me breshëri plumbash mbi kremtuesit që i dilnin përpara. (Leunora Kaliqi, TVM2)
