Dëbora mbulon Maqedoninë, Kadriu: Po punojmë për pastrimin e rrugëve

05.01.2017 16:04

Reshjet e borës që po bie në të gjithë vendin që nga mbrëmja e së mërkurës....

Reshjet e borës që po bie në të gjithë vendin që nga mbrëmja e së mërkurës kanë vështirësuar ndjeshëm komunikacionin pothuajse në të gjitha akset rrugore.

Ekipet e pastrimit të Ndërmarrjes publike “Rrugët e Maqedonisë” janë që në mëngjes në terren, megjithëse në orët e para të ditës kishte ankesa nga qytetarët se autoritetet nuk kanë filluar pastrimin dhe se në autostradën Tetovë - Shkup nuk kanë kaluar as borëpastruesit e as nuk është hedhur kripë në rrugë, megjithëse kishte paralajmërime se do të binte borë gjatë natës.

Por, nga “Rrugët e Maqedonisë” thonë se po bëjnë të pamundurën që t’i mbajnë rrugët në gjendje normale për qarkullim dhe pengesa të vogla ka vetëm në grykat e maleve. Punën e ekipeve e vështirëson bora që bie pandërprerë, por rreth 250 makina janë në terren duke pastruar dëborën dhe  duke hedhur kripë.

“Të gjitha rrugët shtetërore janë duke u pastruar intensivisht. Reshjet më të mëdha janë prej Shkupi deri në Kërçovë, Mavrovë dhe Dibër, ku janë përqendruar edhe intervenimet tona. Gjithashtu kemi pasur intervenime edhe nëpër rrugët e tjera shtetërore të vendit, por përqendrimi ynë ka qenë në ato pjesë ku kishte reshje të mëdha të dëborës”,- deklaroi drejtori i NP “Rrugët e Maqedonisë”, Gajur Kadriu.

Në Strazhë dhe Mavrovë, ndërkohë, është vendosur ndalim qarkullimi për automjetet e rënda.

Kadriu apelon për kujdes pasi pritet që temperaturat të ulen dhe në rrugë të krijohen ngrica.

“U apelojmë drejtuesve të automjeteve të jenë të kujdesshëm dhe të kenë parasysh se këto ditë ulja e temperaturave dhe reshjet e dëborës mund të krijojnë ngrica të mëdha nëpër rrugë”,- tha drejtori i NP “Rrugët e Maqedonisë”, Gajur Kadriu.

Edhe Qendra për menaxhim me kriza ka sjellë mbi 20 masa dhe rekomandime ndaj njësive të drejtorive lokale për menaxhim me rreziqet nga moti i ligë. (Rexhep Qamili, TVM2)