Maqedoni
Pesë sindikata në protesta, s’lejojnë largimin e tyre nga hapësirat e LSM-së
05.01.2017 16:32
Nën moton “Edhe në dimër mund të ketë pranverë sindikaliste”, anëtarët e pesë sindikatave të pavarura të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë...

Nën moton “Edhe në dimër mund të ketë pranverë sindikaliste”, anëtarët e pesë sindikatave të pavarura të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë protestuan në ndërtesën e Sindikatës, pasi kishin lexuar vendimin se do të duhet të shpërngulen.
Protestuesit thonë se ish kryetari, Zhivko Mmitrevski, tanimë nuk është sindikalist dhe nuk ka të drejtë të sjellë vendime.
“Këtu jemi mbledhur spontanisht për shkak të vendimit të Zhivko Mitrevskit, kryetarit të shkarkuar, i cili në mëngjes kishte publikuar këtu në LSM që pesë sindikatat më të mëdha të largohen nga anëtarësia e LSM-së. Thuhej se vendimi është marrë në seancën e mbajtur më 28 dhjetor. Njëkohësisht me angazhimin e kamionëve, punëtorëve shtesë dhe marrjen për shfrytëzim të depove, Darko Dimovski, dëshiron që të na largojë edhe nga ndërtesa e LSM-së”,- deklaroi ushtruesi i detyrës i LSM-së.
Kryetari i Sindikatës për të punësuarit e organizatave juridike dhe civile, Pece Grujoski, thotë se Mitrevski më shumë se një muaj e gjysmë po keqpërdor ish detyrën e tij zyrtare, pasi anëtarët e LSM–së e shkarkuan më 13 nëntor. Grujoski gjithashtu akuzon edhe regjistrin qendror, i cili bllokon procedurën për emërimin e ushtruesit të detyrës kryetar sindikate.
“Me qëllim që të përfundojë agonia, kërkojmë me urgjencë nga regjistri qendror që të kryejë punën dhe t’i shërbejë demokracisë dhe të zbatojë ligjet në vend. Ne nuk duam që situata të përshkallëzohet në drejtim të padëshiruar. Pas kësaj porosie që po e dërgojmë sot deri tek opinioni dhe anëtarësia jonë qëndrojnë 28 mijë anëtarë tanë”,- theksoi kryetari i Sindikatës të organizatave juridike dhe civile, Pece Grujoski.
Protestuesit e pesë sindikatave do të mbeten në ndërtesë përderisa Regjistri Qendror ta shkruajë emrin e Darko Dimovskit si ushtrues të ri të detyrës drejtor. Kryetari i shkarkuar i LSM-së, Zhivko Mitrevski, para Vitit të Ri ka përjashtuar pesë sindikatat më të mëdha dhe me sigurim privat për çdo ditë ruan hyrjen e ndërtesës së Sindikatës, ndërkohë që së fundmi kërkon edhe largimin e tyre nga hapësirat e sindikatës.
MERAL ISMAILI
