"Obamacare", Obama: Demokratët të mbrojnë reformën
Presidenti në detyrë i ShBA-ve, Barack Obama, i ka kërkuar demokratëve të luftojnë për të mbrojtur aktin...

Presidenti në detyrë i ShBA-ve, Barack Obama, i ka kërkuar demokratëve të luftojnë për të mbrojtur aktin e tij të kujdesit shëndetësor në një kohë kur skuadra e presidentit të radhës, Donald Trump, është zotuar se shfuqizimi i ligjit do të jetë një prioritet për ta.
Ligji ka zgjeruar mbulimin shëndetësor për rreth 20 milionë amerikanë. Por, Akti i kujdesit të përballueshëm i vitit 2010 është goditur nga kostoja e madhe dhe shumë shoqëri sigurimesh janë tërhequr nga skema, duke i lënë amerikanëve më pak mundësi zgjedhjeje.
Gjatë fushatës së tij presidenciale, Donald Trump e ka kritikuar Aktin Obamacare, duke premtuar se do ta zëvendësonte me “një program më të mirë e më pak të shtrenjtë”.
Obama i ka inkurajuar demokratët të qëndrojnë të fortë përballë republikanëve, të cilët përgatiten të marrin kontrollin e Shtëpisë së Bardhë dhe të dyja dhomave të Kongresit, për herë të parë në një dekadë. 8.8 milionë amerikanë ishin regjistruar në Aktin Obamacare për 2017, rreth 200.000 persona më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë, një vit më parë.
