MUNDJE

Paraqitje e dobët e mundësve të Lirisë në KE në Bullgari

07.05.2014 19:43

Shpresa më e madhe e Maqedonisë në këtë evropian, Elmedin Sejfullahu i cili vitin e kaluar kishte rrëmbyer medaljen e bronzit u rendit vetëm i pesti, ndërsa dy mundësit tjerë të Lirisë Sami Rexhepi dhe Shaip Brava u eliminuan që në ndeshjet e 1/8 së finales……….

Fituesi i medaljes së bronztë vitin e kaluar në evropianin e Tivarit të Malit të Zi, Elmedin Sejfullahu, nuk pati fat në shortin e hedhur në Samokov, dhe pas raundit të parë, në të cilin ishte i lirë, në 1/8 e finales në kategorinë deri në 46 kilogram, u takua me njërin prej favoritëve, Elvin Namazovin nga Azerbajxhani,  nga i cili humbi pas një lufte të madhe, me 8-6 në pikë.

Pas kësaj, Namazov u plasua deri në finalen e madhe, ku u mposht nga rusi Ismaill Gaxhiev, dhe kështu Elmedinit i mundësoi të paraqitet në repasazh. Aty, djaloshi nga Shkupi, në takimin e parë, pa fare vështirsi dhe në mënyrë bindëse me 5-0, eliminoi hungarezin Marton Nemeth, që më pas, në luftën për të mbrojtur bronzën e fituar vitin e kaluar, të dështoj kundër turkut Xhabbar Dujom, i cili ishte më i qetë në momentet vendimtare dhe i’a arriti qëllimit që ti rrëmbejë medaljen e bronzit Sejfullahut.

Me këtë humbje, Sejfullau u ndal në pozitën e pestë. Nga ana tjetër, në kategorinë deri në 54 kilogram, dështoi mundësi tjetër i klubit të Lirisë, Sami Rexhepi, i cili u mposhtë nga bjellorusi Paulichenka.

Mundësi i tretë dhe i fundit i Lirisë në këtë evropian, Shaip Brava, në kategorinë deri në 42 kilogram, u eliminua në 1/8 e finales nga rusi Mukhidin, i cili më pas u shpall edhe kampion evropian. Pas kësaj, Brava dështoi edhe në repasazh, duke u mposhtur nga turku Xhihan Urhan.