Maqedoni

Bora bllokoi malësinë e Tetovës, Komuna: Situata në kontroll, rrugët pastrohen

05.01.2017 18:02

Reshjet e borës që kanë filluar që nga mëngjesi i sotëm në Tetovë kanë vështirësuar lëvizjen e lirë të automjeteve...

Vështirësi më të madhe për lëvizje kanë fshatrat e malësisë së Tetovës, fshati Sellcë dhe Vicë janë bllokuar tërësisht gjatë ditës.
 
Nga komuna e Tetovës thonë se pastrimi i rrugëve në malësinë e Tetovës po ecën me vështirësi për shkak të defekteve në makinat pastruese, por gjatë ditës janë lëshuar makinat shtesë,  që t’ju dilet në ndihmë banorëve. Por, theksojnë se rrugët nëpër qytet dhe në disa fshatra të malësisë janë të kalueshme në kushte dimri.
 
“Probleme janë paraqitur në drejtimin Sellcë-Vicë, ku për shkak të defektit të mekanizimit është angazhuar mekanizim shtesë, i cili është nisur për te ky drejtim rrugor... Reshjet e dëborës vazhdojnë me intensitet të lartë. Komunikacioni në qytet zhvillohet lirë, por në kushte dimërore. Janë pastruar dhe janë të kalueshme bulevardet, unazat në qytet, si dhe rrugët me prioritet dytësor. Gjithashtu janë të kalueshme edhe rrugët për në fshatrat Shipkovicë-Brodec-Veshallë-Bozofcë, si dhe hyrjet e fshatrave Rasadisht, Gajre dhe Lisec”,- deklaroi zëdhënësi i komunës së Tetovës, Armend Fazliu.
 
Reshjet e borës vazhdojnë me intensitet të lartë dhe pritet që në viset malore të arrijë deri në 50 cm borë. Komuna e Tetovës ju bënë thirrje qytetarëve që pa nevojë mos të dalin jashtë dhe në raste të bllokimit të ndonjë rruge të lajmërohen në numrin e zjarrfikësve: 193.
 
VISAR SADIKI