Maqedoni

Zgjedhjet në Maqedoni, Ahmeti, Kasami dhe Sela takojnë presidentin Thaçi

05.01.2017 18:24

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në Prishtinë ka takuar liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni...

Në takimet me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, atë të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, dhe të “Aleancës për shqiptarët”, Ziadin Sela, është diskutuar nevoja për një koordinim të mirëfilltë të faktorit politik shqiptar, që ka për qëllim respektimin e vullnetit të lirë dhe demokratik të votuesve shqiptarë të shprehur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë, më 11 dhjetor 2016.

Presidenti Thaçi i ka përgëzuar për sjelljen e partive politike shqiptare para dhe pas rezultatit zgjedhor, i cili duhet të reflektojë momentin për të riafirmuar përcaktimet programore dhe strategjike të shqiptarëve që janë edhe në interes të së ardhmes europiane të Maqedonisë.

Në takim me përfaqësuesit e partive politike parlamentare në Maqedoni është shprehur gatishmëria e tyre për t’u angazhuar maksimalisht në përfaqësimin sa më të mirë të interesave të shqiptarëve dhe të prosperitetit e stabilitetit afatgjatë të Maqedonisë.