Maqedoni

Gripi arrin kulminacionin, 10 mijë të sëmurë për vetëm një javë

05.01.2017 18:30

Maqedonia vazhdon të jetë e përfshirë nga vala enorme e të sëmurëve nga gripi sezonal...

Vetëm për një javë janë regjistruar afro 10 mijë të sëmurë nga gripi, dyfish më shumë se java e fundit e 2016-tës, ku kishte 4.194 raste.
 
Gripi sezonal ka mbushur spitalet me kategorinë më të rrezikuar, fëmijët. Nga spitalet e fëmijëve thonë se numri i pacientëve të vegjël këtë vit është shumë më i madh jo vetëm nga gripi por edhe nga viruset e tjera respiratore. Brenda ditës në këto spitale janë kontrolluar rreth nga 100 fëmijë. 
 
“Numri i përgjithshëm në këtë muaj të fëmijëve të sëmurë nga gripi është diku rreth 500 apo 600 fëmijë. Në klinikë punojnë dy ekipe, sepse numri i pacientëve është i madh. Gjatë ditës arrijnë deri më 80 fëmijë, në 2 janar kishim 120 pacientë dhe disa prej tyre janë mbajtur këtu në klinikë”,- deklaroi drejtoresha e Klinikës së fëmijëve, Aspazia Sofjanova.
 
“Në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit numri i fëmijëve të hospitalizuar ka arritur në 95. Në ambulancën tonë kontrollohen  në ditë rreth 100 fëmijë. Presim që ulja e temperaturave në -20 gradë të zvogëlojë edhe numrin e të sëmurëve nga gripi”,- tha drejtori i Institutit “Kozle”, Oliver Zafirovski.
 
Derisa në Maqedoni spitalet janë plot, vendet e rajonit kanë regjistruar edhe viktimat e para nga gripi. Epidemia në Kroaci rezulton me dy të vdekur, në Greqi u shënua sot viktima e parë nga gripi, Serbia ka vazhduar edhe për një javë pushimin e shkollave me shpresë të ulë numrin e nxënësve që mund të sëmuren nga gripi.
 
REJHANE BUSHI-METAJ