Maqedoni

Bora në Shkup, qytetarët: Po e pastrojnë, po jo gjithkund; Trajanovski: Hodhëm 165 ton kripë në vendet kritike

05.01.2017 18:46

Edhe pse autoritetet në Shkup me ditë të tëra thanë se janë të përgatitur për t’u përballur me kushtet e borës...

Edhe pse autoritetet në Shkup me ditë të tëra thanë se janë të përgatitur për t’u përballur me kushtet e borës, qytetarët ankohen se nuk kanë reaguar shpejt në pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës në të gjitha rrugët.
 
Janë pastruar vetëm rrugët qendrore, por askush nuk ka hyrë në rrugët brenda lagjeve apo fshatrave, ankohen të anketuarit. 
 
“Jo, rrugët nuk janë të pastruara. Kush i pastron rrugët, s’ka të pastruara, rrugët nuk pastrohen. Jo, nuk ka as krip. Ata thoshin çdo mbrëmje se ne jemi të përgatitur, por si duket i zuri të papërgatitur”,- tha një qytetar.
 
“Për momentin nuk ka asgjë për të pritur nga ky shtet, për pastrim s’ka asgjë”, - theksoi një qytetar. 
 
“Po, andej po, kanë hedhur kripë, por edhe këtu në rrugën te stacioni i Bit Pazarit e pashë që ishin duke nxjerrë krip”,- u shpreh një qytetar. 
 
Sipas kryetarit të qytetit të Shkupit, të gjitha rrugët kryesore të kryeqytetit janë pastruar dhe “Higjiena komunale” dhe Ndërmarrja “Parqet dhe gjelbërimi” po pastrojnë trotuaret dhe shtigjet e parqeve të qytetit të Shkupit. Për rrugët dytësore Trajanovski përkujton se është detyrë e komunave t’i pastrojnë. 
 
“Qyteti i Shkupit me 24 automjete ka pastruar rrugët kryesore, të cilat janë nën kompetencë të Qytetit të Shkupit. Janë hedhur rreth 165 ton kripë në vendet kritike, aty ku shtabi ka vlerësuar se duhet të hidhet kripë. Vlerësoj se me sukses jemi përballur me rënien e parë të borës. Është mirë që temperaturat nuk ranë shumë ulët”,- deklaroi kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
 
Bora si duket u ka nxjerrë punë edhe shitësve. Sipas Ligjit për pastërti publike, personat juridik, pronarët e objekteve që nuk do të pastrojnë borën, do të përballen me gjoba deri në 1 mijë euro. Kjo ka bërë që në Çarshinë e Vjetër pronarët që herët në mëngjes të pastrojnë hapësirat para dyqaneve të tyre.
 
Sado që ata ishin pak të informuar për këtë ligj, pronarët e dyqaneve në Çarshinë e Vjetër thonë se ata çdo vit ndërmarrin nismë për të pastruar vendin para objektit të tyre. 
 
“Siç e shihni këtu përpara është e pastruar. Ne çdoherë e pastrojmë kështu, sepse çdonjëri duhet ta pastrojë oborrin e vet, si në shtëpi ashtu edhe në dyqan”,- theksoi një shitës.
 
“Po, diku rreth orës 7:45 erdha në punë, dhe punën e parë që e bëra, mora lopatën dhe e pastrova borën para dyqanit. Secili shitës është i detyruar që ta pastrojë hapësirën para dyqanit të vet, ndërsa pjesa tjetër i takon “Higjienës komunale””,- tha një shitës.
 
“E pastruam jo vetëm ne, por të gjithë esnafi i Çarshisë kanë marrë iniciativë dhe kanë pastruar rreth dyqanit të vet borën, po ashtu edhe prej komunës sot pamë hedhjen e kripës. Çdokush para vendit të vet duhet ta pastrojë, ajo është normale, e patjetërsueshme”,- u shpreh një shitës.
 
Autoritetet iu bëjnë apel qytetarëve që të shmangin lëvizjet e automjete dhe bëjnë thirrje që të pajisen me zinxhirë dhe pajisjet e tjera dimërore.  
 
Në rast të mosrespektimit të rregullave për përdorim dhe mbajtje të pajisjes dimërore, qytetarët do të përballen me gjoba që vijojnë deri në 45 euro, por mund edhe të humbasin patentën për një periudhë të caktuar kohore. 
 
ERSAN PAJAZITI