Maqedoni
Agjencia për ushqim dhe veterinari: Kujdesuni për bagëtinë, edhe ata kanë ftohtë
05.01.2017 18:49
Në këtë të ftohtë ekstrem, kafshët shtëpiake duhet mbajtur të mbyllura në stalla dhe të kenë ushqim dhe ujë të mjaftueshëm...

Këto janë vetëm disa nga rekomandimet e Agjencisë për ushqim dhe veterinari, sipas të cilës nëse blegtorët nuk kanë mundësi që kafshët t’i strehojnë në vende të mbyllura, duhet të kujdesen që ato të mbulohen sidomos gjatë natës, me batanije të thata.
“Personat që kujdesen për kafshët në këtë kohë dimri duhet që në kohë ta sigurojnë ushqimin dhe ujin në sasi të mjaftueshme për të paktën dy javë. Ushqimi duhet të jetë i përshtatshëm për të gjitha llojet e kafshëve të cilat mbahen në ferma, nuk duhet që kafshëve t’u jepet ushqim i ngrirë, gjithashtu duhet që ushqimi ditor të rritet sidomos për kafshët barrsë, me qëllim që ta ruajnë temperaturën trupore”,- thonë nga AUV.
Kujdes i veçantë duhet edhe për kafshët më të vogla dhe të reja në moshë, kafshëve të sëmura apo kafshëve të cilat kanë nevoja të veçanta.
Nga AUV porosisin që në këtë kohë të ndiqet me kujdes edhe gjendja shëndetësore e kafshëve me vizita më të shpeshta nga veterinerët.
GAZMEND REXHEPI
