Maqedoni
Testimi ekstern, përplasje VMRO-LSDM
05.01.2017 18:52
Testimin ekstern do ta shfuqizojmë në seancën e parë qeveritare...

Testimin ekstern do ta shfuqizojmë në seancën e parë qeveritare, ndërsa cilësinë në arsim do ta sigurojmë përmes shpërblimeve, dhe jo përmes sanksioneve, thonë nga LSDM.
Sipas tyre, shfuqizimi i testimit ekstern do të jetë vetëm një pjesë e reformave në krijimin e një sistemi stabil arsimor.
“Testimi ekstern është ndër veprat më të këqija në arsimin e Maqedonisë, që nuk na solli asnjë rezultat në procesin e arsimit, përveç se ka traumatizuar nxënësit. Dhe njëkohësisht i ka shërbyer pushtetit për presion ndaj arsimtarëve dhe profesorëve. Qeverisja e deritanishme eksperimentoi me arsimin dhe e shkatërroi me themel”,- thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Ndërkohë ndaj deklaratave të LSDM-së ka reaguar VMRO-DPMNE.
“Humbës kryesor i të gjithë asaj janë fëmijët të cilët janë viktima të propagandës së LSDM-së. Por, humbës është edhe e tërë shoqëria. Derisa vendet në botë janë në garë, e cila më shumë dhe më shpejtë do të bëjë ndonjë inovacion në Maqedoni, nuk guxon gara të jetë me më pak mësim, lëndë dhe orë”,- citohet në reagimin e VMRO-DPMNE–së.
VMRO-DPMNE-ja konsideron se partia opozitare i ka humbur zgjedhjet dhe se me një populizëm joreal tenton t’i gënjejë qytetarët për gjoja lehtësime në jetë.
NAIM RAMADANI
