Maqedoni

Qeveria e re as në horizont, Gruevski zbut retorikën ndaj shqiptarëve

05.01.2017 19:01

Pas një fushate parazgjedhore nacionaliste, me elemente raciste, ish kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, zbut retorikën kundrejt shqiptarëve...

Në intervistë për portalin “republika.mk”, Gruevski thotë se VMRO-DPMNE nuk është parti shoviniste, ndërsa ai vetë nuk është nacionalist dhe nuk punon kundër shqiptarëve.
 
Sipas tij, shqiptarët kanë qenë të shtypur në kohën e LSDM-së, pasi atëherë janë burgosur dhe diskriminuar, ndërkaq VMRO dhe ai vetë po bëjnë të kundërtën.
 
Mirëpo, siç duket, ky konvertim nuk i ka ndihmuar që të afrojë subjektet politike shqiptare për fillimin e negociatave për formimin e shumicës parlamentare dhe qeverisë. Përderisa BDI nuk sqaron për TVM2 nëse ka gjetur gjuhën e kompromisit me VMRO-në për të vazhduar bashkëqeverisjen, BESA dhe LR-PDSh thonë se nuk po zhvillojnë bisedime me asnjërën palë. 
 
“Hëpërhë nuk kemi bisedime me asnjërën parti” - thotë Zeqiria Ibrahimi nga Lëvizja BESA. 
 
Ndërkaq, Arben Travari nga Lëvizja për reforma në PDSh thotë se ideja e kësaj partie ka qenë që të unifikojë kushtet e partive shqiptare kundrejt atyre maqedonase, për të shfrytëzuar në maksimum momentin e krijuar politik nga barazia e forcës politike mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. 
 
LSDM vazhdon të deklarojë se qeverinë e re do ta bëjë pikërisht koalicioni që kryeson kjo parti. Në kumtesën lidhur me intervistën e Gruevskit, LSDM thotë se jo një intervistë, por edhe intervistë me 100 vazhdime nuk mund ta ndryshojnë bindjen e qytetarëve për të.
 
“Qytetarët zgjodhën jetë në Maqedoni dhe kjo është realitet. Nikolla Gruevski është e shkuar. Prandaj intervistë në 100 vazhdime të bëjë Gruevski dhe të shumëzojë me 100 cinizmin ndaj qytetarëve që i nënçmoi asgjë nuk ndryshon për të. Vjen qeveri e re, e përgjegjshme e qytetarëve të Maqedonisë.”- thuhet në kumtesë.
 
Për sa kohë partitë politike nuk po gjejnë gjuhën për të krijuar shumicën e re parlamentare, nga e cila do të buronte edhe qeveria e re, vazhdon qeverisja e qeverisë me kompetenca teknike mes koalicionit VMRO–BDI. 
 
SHPËTIM NUREDINI