Botë

Haradinaj para gjykatës, Kosova pret lirimin e tij

05.01.2017 19:28

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, pritet të lirohet së shpejti nga gjykata në Colmar, në lindje të Francës, bëjnë të ditur burime të Ministrisë së Jashtme të Kosovës...

Ky trup gjykues francez pritet të vendosë nëse kreu i AAK-së do të ekstradohet në Serbi, siç kërkohet në urdhër-arrestin e lëshuar nga Beogradi ndaj tij, apo do të lihet i lirë.
 
Avokati i Haradinajt, Arianit Koci, ka thënë se gjasat janë zero që Haradinaj të ekstradohet në Serbi. Kjo është luftë speciale e Serbisë ndaj Haradinajt, si drejtues i UÇK-së në Zonën e Dukagjinit”,- ka thënë avokati Koci. 
 
Ramush Haradinaj u arrestua të mërkurën nga autoritetet franceze në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga Serbia. Haradinaj kishte me vete një pasaportë diplomatike gjatë kohës që u arrestua nga policia kufitare franceze.
 
Serbia ka ngritur 108 padi penale kundër tij, për shkak të dyshimit se ka kryer krime të rënda, duke përfshirë terrorizmin dhe vrasjen e civilëve në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999.
 
Autoritetet e Serbisë kërkojnë ekstradimin e Haradinajt në Serbi. Autoritetet më të larta të Kosovës e kanë quajtur të paligjshëm ndalimin e tij, si dhe kanë kërkuar menjëherë lirimin. 
 
Haradinaj para dy viteve ishte arrestuar edhe nga autoritetet sllovene në bazë të një fletë-arresti nga Serbia, por është liruar me vendim të Gjykatës.
 
SANIJE DURAKU