Kuipers do të drejtojë finalen e LK
Për arbitrin 41-vjeçarë kjo do të jetë hera e parë që do të referojë në një ndeshje finale të Ligës së Kampionëve…..
Arbitri më i mirë holandez Bjorn Kuipers do të ndajë drejtësinë në ndeshjen finale të Ligës së Kampionëve kur me 24 Maj, mejdanin në Lisbonë të Portugalisë do të ndajnë dy skuadrat spanjolle Reali i Madridit dhe Atletiko Madridi.
Për arbitrin 41-vjeçarë kjo do të jetë hera e parë që do të referojë në një ndeshje finale të Ligës së Kampionëve.
Vitin e kaluar Kuipers ndau drejtësinë në ndeshjen finale të Liga Evropa, ndërmjet Benfikës dhe Çelzit, në të cilën ndeshje skuadra angleze doli fituese me rezultatin 2:1.
Ndihmës të tij njëjtë sikurse në finalen e vitit të kaluar do të jenë Sander van Rokel dhe Ervin Zeinstra.
Holandezi viteve të fundit ka qenë jo me fat për Realin e Madridit, pasi në të dyja ndeshjet që u ka referuar “mbretërve”, këta të fundit nuk kanë arritur të shënojnë fitore. Përballë CSKA Moskës “madrilenët” kishin barazuar 1:1, ndërsa kundër Birusia Dortmundit kishin pësuar një disfatë të thellë 4:1.
Në anën tjetër Atletiko Madridit, Kuipers i ka referuar në vetëm një ndeshje, edhe atë gjatë sezonit 2009/2010 kur “jorganxhinjët” kishin barazuar me Çelzin.