Temperaturat drejt ekstremit të ftohtë, autoritetet: Edhe qytetarët të ndihmojnë njëri - tjetrin
Temperaturat në vendin tonë pritet që gjatë natës të zbresin deri në minus 13 gradë...

Temperaturat në vendin tonë pritet që gjatë natës të zbresin deri në minus 13 gradë, ndërsa të dielën deri në minus 20 gradë.
Autoritetet bëjnë apel që qytetarët të mos udhëtojnë dhe të mos dalin nga shtëpitë nëse nuk kanë ndonjë nevojë të caktuar.
Të mbajnë veshmbathje të ngrohtë, të konsumojnë pije të ngrohta dhe nëse duhet të punojnë në ambiente të hapura, ta bëjnë atë me pauza.
Tani për tani gjendja është nën kontroll thonë nga Qendra për Menaxhim me Kriza, spitalet dhe qeveria.
Ka ndërprerje komunikacioni për automjetet e rënda në Strazhë dhe Mavrovë-Dibër dhe prej dje pasdite edhe në Presekë. Komunikacioni ajror dhe hekurudhor po zhvillohet pa pengesa. Zëdhënësi i qeverisë, Gjorgjiev, thotë se institucionet ndodhen vazhdimisht në terren dhe do të veprohet çdokund ku nevojitet, por është me rëndësi që edhe qytetarët të tregojnë vetëdije.
"Të gjithë ata qytetarë të cilët nuk kanë nevojë të posaçme për udhëtim, bëjmë thirrje të mos udhëtojnë gjatë këtyre ditëve. Të gjitha ndërmarrjet dhe transportuesit të cilët mund t'i shtyjnë rutat e tyre transportuese, nëse kjo nuk u shkakton dëm serioz ekonomik, gjithashtu, të mos udhëtojnë në këtë periudhë",- sqaroi Gjorgjiev.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se të gjitha shtabet e krizës janë të aktivizuara dhe se janë mobilizuar të gjitha resurset. Në rajonin e Shkupit të gjitha drejtimet rrugore janë të kalueshme, përveç drejt Brezës, Malinës dhe Tanushës, ndërsa NPK - Shkup për shkak të rrëshqitjeve në rrugë i ka shkurtuar linjat e autobusëve 65b, 47a, 160, 74, 80a dhe 81.
Edhe institucionet shëndetësore janë të përgatitura. Ndihma e shpejtë mjekësore është përforcuar, ndërsa ajo e Shkupit do të punojë me 12 ekipe në ndërrime dhe dy plotësuese të cilat do të jenë në thirrje. Janë përgatitur edhe qendrat urgjente dhe spitalet. Dje deri në orën 16 janë bërë 80 intervenime të cilat janë në kuadër të pritjeve, kishte tre thyerje gjymtyrësh nga rrëshqitja në rrugë dhe një fatkeqësi komunikacioni.
Mjekët rekomandojnë që lëvizja të jetë e kufizuar dhe e planifikuar, ndërsa personat e moshuar të cilët lëvizin me vështirësi për shkak të motit të ftohtë, këtë ta bëjnë ndërmjet orës 10:00 dhe 16:00. Të gjitha obligimet e tjera të shtyhen apo t'i realizojnë disa anëtarë të familjes apo miq, të sëmurët kronik ta marrin rregullisht terapinë dhe nëse ka simptome të cilat janë në kahje të përkeqësimit të shëndetit, të kërkohet Ndihma e shpejtë mjekësore, apo të shfrytëzohet linja "Alo mjek". Qendrat shëndetësore janë të përgatitura, por nevojitet edhe vetëdija për vetëmbrojtje, sepse vetëm kështu ndihmojmë njëri-tjetrin që këto disa ditë t'i kalojmë më lehtë. (Migena Gorenca, TVM2)
