Europa nën acar, paralizohen shumë vende

06.01.2017 13:24

Moti i ftohtë e me dëborë ka mbërthyer pjese të Europës...

Moti i ftohtë e me dëborë ka mbërthyer pjese të Europës dhe të gadishullit të Ballkanit. Ngricat dhe reshjet kanë shkaktuar viktimat e parë, si dhe probleme në qarkullimin e automjeteve.

Në Gjermani, si pasojë e përplasjes së dy makinave nga akulli në rrugë, në Saksoninë e poshtme, janë shënuar dy viktima. Në verilindje për shkak të stuhisë Axel janë shkaktuar edhe përmbytje. Në disa zona në veri niveli i ujit si pasojë e reshjeve ka arritur në dy metra. Temperatura në Berlin pritet të zbresë në -10 gradë.

Moti i keq ka përfshirë edhe Italinë. Reshjet e dëborës kanë rënë në pjesën qendrore të vendit të goditur nga tërmeti vitin e shkuar, duke shtuar vështirësitë për banorët. Situatë e vështirë është edhe në jug. Autoritetet e mbrojtjes civile kanë këshilluar popullsinë të përgatitet për të ftohtin ekstrem.

Në rajonin e Ballkanit, probleme paraqiten në Kosovë. Në Ferizaj shumë rrugë janë të pakalueshme për shkak të dëborës.

Në Rumani trashësia e dëborës arriti në 2 metra. Autostradat kryesore në jug dhe lindje kanë qenë të pakalueshme për shkak të dëborës.

Portet në Detin e Zi u mbyllën.

Reshje të dendura dëbore kanë rënë në Bosnjë-Hercegovinë, ku pritet gjithashtu që temperaturat të shkojnë nga -11 në -26 gradë për një periudhë pesëditore.

Moti i keq ka sjellë probleme, bllokime të rrugëve, vonesa në fluturime dhe në transportin hekurudhor në disa vende në Europën lindore.

Lëvizja e disa trageteve është bllokuar në Detin Baltik, ndërsa stuhia i është drejtuar vendeve baltike.

Sipas sinoptikanëve, kjo situatë do të vazhdojë.

Në Finlandë është paralajmëruar se termometri do të shënojë -40 gradë celsius këtë të premte.

Në Poloni, 16 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike në shtëpitë e tyre si pasojë e shkëputjes së linjave nga erërat e forta.

Rumania ka shpallur emergjencën portokalli në 15 distrikte të mbuluara nga bora dhe akulli.

Moti i ashër pritet të zgjasë edhe gjatë  fundjavës. (Gazmend Kurtishi, TVM2)