Haradinaj reagon nga paraburgimi në Francë, institucionet e Kosovës kërkojnë lirimin e tij

06.01.2017 13:31

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili që nga e mërkura po mbahet i arrestuar në Francë...

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili që nga e mërkura po mbahet i arrestuar në Francë, nëpërmjet një postimi në Facebook ka deklaruar se është për keqardhje që disa shtete ende respektojnë vendimet e ish regjimit të Millosheviqit, por rrugën e shtetit të Kosovës nuk do të mund ta ndalë askush, thekson kreu i AAK-së. 
 
“Të dashur qytetarë të Kosovës, është për keqardhje se si disa shtete ende respektojnë vendimet e ish regjimit të Millosheviqit, ndërsa plot shtete të tjera, siç janë Gjermania, Austria e të tjera, tashmë janë ndarë përfundimisht prej atij regjimi dhe nuk i zbatojnë “poternicat” e tyre. Ne si popull e si individë nuk jemi trembur nga tanket e Millosheviqit, e lëre më nga fletëarrestet e tij. Kam një porosi për miqtë e Serbisë, brenda dhe jashtë Kosovës: “rrugën e shtetit të Kosovës nuk do të mund ta ndalë askush”. Nuk i kemi rënë në qafë askujt dhe nuk do të lejojmë të na bjerë në qafë askush! Do të takohemi shpejt në Kosovë!”,- thekson Haradinaj në postim. 
 
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe shefi i Diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, kanë shprehur shqetësimin e institucioneve të Kosovës për ndalimin dhe procedurat që po zhvillohen pas arrestimit në Francë ndaj liderit të AAK-së, Haradinaj. 
 
“Shpreh shqetësimin e Qeverisë për ndalimin dhe procedurat që po zhvillohen për Haradinajn, i cili është ndalur nga autoritetet franceze në bazë të një fletarresti të motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi. Me lejoni të theksoj qëndrimin e padilemë të Qeverisë së Kosovës kundër këtyre fletarresteve të Serbisë, të cilat janë akte plotësisht të paligjshme, të padrejta dhe me tendenca të qarta, për të provokuar tensione, konflikte dhe për të dëmtuar proceset europiane në rajon dhe me gjerë”,- theksoi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
 
“Kemi bërë kërkesë për lirimin e Haradinajt ku dëshmohet pafajësia e tij, e cila është dëshmuar edhe në tribunalin e Hagës. Gjatë ditës së djeshme dhe pardje kam pasur numër të madh telefonatash me autoritetet franceze dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, ku e kam informuar në detaje se arrestimet e tilla nga Serbia janë të motivuara politikisht dhe s’kanë bazë ligjore”,- theksoi ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxha.  
                                                                                                                 
Me gjithë deklaratat optimiste se Haradinaj do të lirohet të enjten menjëherë pasi të paraqitet në Gjykatën franceze, gjykata dje ka vendosur që Haradinaj të qëndrojë në një afat të pacaktuar në paraburgim, pas çka autoritetet e Kosovës kanë bërë një kërkesë të dytë, duke dëshmuar në detaje që Serbia nuk ka juridiksion mbi Kosovën. Por, autoritetet serbe kërkojnë ekstradimin e tij në Beograd.
 
GYLTENE SINANI