Trump: Ambasadorët e Obamës të largohen
Stafi i tranzicionit të presidentit të zgjedhur....

Stafi i tranzicionit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, përmes një urdhri që vlen pa asnjë përjashtim, kërkon largimin e ambasadorëve të emëruar politikisht, që pas ditës së përurimit të kreut të ri të Shtëpisë së Bardhë, më 20 janar, duke shkelur kështu një precedent të vendosur prej disa dekadash.
Dekreti do të lërë Shtetet e Bashkuara pa diplomatë të konfirmuar nga Senati për muaj të tërë në shtete të rëndësishme si Gjermania, Kanadaja dhe Britania. Në pritjen e lamtumirës në Shtëpinë e Bardhë, që do të organizohet nga Obama mbrëmjen e së mërkurës për diplomatët jo të karrierës, do të diskutohet edhe për këtë situatë të re.
Departamenti i Shtetit informoi ndërkohë të gjithë ambasadorët e emëruar politikisht përmes një letre, një ditë pas zgjedhjeve të nëntorit, se duhej të dorëzonin dorëheqjet brenda 20 janarit. Letra instruktonte se ata duan zgjatje të mandatit duhej të dorëzonin një kërkesë formale, ku të shpjegonin arsyet e tyre. Në të kaluarën, administratat e të dyja partive janë treguar dorëlëshuar për zgjatjen e mandateve të një sërë ambasadorëve, pas shqyrtimit rast pas rasti, veçanërisht për ata me fëmijë në moshë shkollore, për të qëndruar në detyrë për javë apo edhe për muaj të tjerë.
Bill Clinton, George Bush dhe Obama kanë ofruar që të gjithë zgjatje mandatesh për disa prej ambasadorëve politikë të emëruar.
Ndryshe nga e kaluara, Trump ka mbajtur një linjë të ashpër kundër tolerimit të të emëruarve politik të presidentit Obama, teksa përgatitet të marrë çelësat e Shtëpisë së Bardhë më 20 janar, me një mision për të zhbërë shumë prej arritjeve në politikat e jashtme dhe të brendshme të paraardhësit të tij. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)
