Arrestimi i Haradinajt në Francë, protesta në Shkup dhe Prishtinë

06.01.2017 14:37

Me moton “Ramush Haradinaj është Kosova”...

“Ramush Haradinaj është Kosova”, ishte motoja të cilën zgjodhën qytetarët e Kosovës që morën pjesë në marshin protestues të organizuar në Prishtinë nga AAK, që u mbështet edhe nga partitë tjera opozitare dhe organizatat e luftës.
 
Qytetarët, nga Pallati i Rinisë në Prishtinë, marshuan qetë e dinjitetshëm deri të Ambasada e Francës.
 
Organizatorët e këtij marshi dorëzuan një letër me disa kërkesa për autoritetet e gjyqësisë franceze, duke kërkuar që të mos zvarriten proceduarat gjyqësore dhe Haradinaj të lihet i lirë në rrugëtimin e tij. Po ashtu Grupi parlamentar i AAK-së ka filluar nismën e thirrjes së një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës lidhur me ndalimin e liderit të kësaj partie nga shteti francez.
 
Kërkesat e protestuesve ishin:
1. Kthimi në atdhe i Ramush Haradinajt të konsiderohet detyrë shtetërore;
2. Të pezullohen bisedimet me Serbinë;
3. Qeveria të kërkojë tërheqjen e të gjitha fletëarresteve të Serbisë për shtetasit e Kosovës;
4. Të krijohet një mekanizëm që do t’i analizojë kushtet dhe rrethanat për krijimin e një formati të ri të bisedimeve me Serbinë;
5. Kërkohet dorëheqja e ministres për Dialog, Edita Tahiri.
 
Protestë për lirimin e Haradinajt u zhvillua edhe para Ambasadës franceze në Shkup, me ç’rast Hazbi Nuredini nga Këshilli organizativ paraqiti kërkesën ndaj Ambasadës së Francës, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Haradinajt.
 
“Këto janë pasojat e politikës serbe që po i toleron Europa dhe ne jemi sot këtu që t’i themi Europës dhe botës së civilizuar se shqiptarët janë njerëz paqedashës se shqiptarët nuk janë njerëz që bëjnë krime, por Serbia është ajo që bën krime dhe asnjëherë s’ka kërkuar falje për krimet që ka bërë në luftën e Kosovës…. Ne sot kërkojmë nga Qeveria e Francës që ta lirojnë menjëherë, pa asnjë kusht, ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj”,- tha Hazbi Nuredini nga Këshilli Organizativ. 
 
Ndryshe, Ramush Haradinaj është arrestuar të mërkurën në Francë, për shkak të një fletarresti të vitit 2004 nga Serbia dhe po vazhdon të mbahet në burg në Francë.
 
GAZMEND REXHEPI