Nata para Krishtlindjeve, besimtarët ortodoksë festojnë Buzmin
Me këngët e koledarëve, besimtarët ortodoksë....

Me këngët e koledarëve, besimtarët ortodoksë filluan festimet për Buzmin, një ditë para festës së madhe Lindjen e Krishtit.
Fëmijëve ju ndahen ëmbëlsira dhe para. Buzmi tradicionalisht do të shënohet me tubim para Katedrales "Shën Klimenti i Ohrit" në Shkup. Manifestimi fillon me himnin dhe me ngritjen e flamurit të buzmit.
Pason shenjtërimi i degëve të buzmit, naforës, rakisë së nxehtë dhe çajit nga klerikët e Katedrales. Arqipeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, z. z. Stefani, në fjalimin e tij iu drejtua shkupjanëve dhe qëllimmirëve për më shumë paqe dhe dashuri mes vete.
“Në këtë ditë ne krishterët ortodoks jemi të obliguar të mendojmë me rastin e këtij tubimi, sidomos sa jemi të përgatitur që të presim dhe pranojmë udhëtarin qiellor, sepse kjo ditë madhështore e Krishtlindjeve është më shumë se festë, është ngjarje që e ndryshoi edhe kuptimin dhe qëllimin e ekzistencës së njeriut si dhe historinë e botës”,- deklaroi arqipeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, z. z. Stefani.
Presidenti Ivanov ka dërguar urim deri tek arqipeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, dhe deri te të gjithë besimtarët.
“Në ditët që pasojnë do të festojmë jetën dhe fillimet e reja, duke iu uruar festën e madhe të Krishtlindjes, ju uroj shëndet dhe paqe shpirtërore, ndërsa gjithë qytetarët që festojnë këtë festë ju them me zemër të hapur të festojmë lajmin e mirë të lindjes së Jezu Krishtit”,- thuhet në urimin e presidenti Ivanov.
Familjet ortodokse për Buzmin mblidhen në darkë të përbashkët dhe sipas traditës këtë natë nuk shkohet mysafir. Bëhet tryezë e pasur kreshmore. Nikoqirët përpiqen të ofrojnë pak nga të gjitha asortimentet që t’u pasurohet tryeza gjatë tërë vitit. Gatuhet kulaç, ndërsa në disa vende bëhen lakrorë në të cilat futet monedhë. Besohet se ai tek i cili do të bjerë monedha do ta ndjekë fati gjatë tërë vitit. Para fillimit të darkës në të cilën mblidhen të gjithë, nikoqiri e bekon tryezën, e thyen kulaçin, ndërsa diku e ndan lakrorin, në aq pjesë sa ka anëtarë të familjes, duke lënë një pjesë për Zotin dhe një për shtëpinë.
Gjithashtu, natën e festës në zjarr vendoset një degë buzmi, i cili llogaritet si dru i shëndetshëm, që të sjellë shëndet për të gjithë në familje. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
