Maqedoni
Kadriu: Dje rreth dy metra borë në rrugën Tetovë-Jazhincë, sot rruga e kalueshme
06.01.2017 16:53
Mbrëmë rruga regjionale Tetovë -Jazhincë është bllokuar nga bora të cilën e ka sjellë era e madhe...

Mbrëmë rruga regjionale Tetovë -Jazhincë është bllokuar nga bora të cilën e ka sjellë era e madhe, duke bërë që lartësia e borës në rrugë të arrijë mbi 2 metra.
Si pasojë e kësaj, shumë vetura së bashku me familjet e tyre janë bllokuar dhe natën e kanë kaluar në rrugën mes kufirit të Maqedonisë dhe Kosovës.
Drejtori i “Rrugëve të Maqedonisë”, Gajur Kadriu, është shprehur se kjo rrugë me ndihmën e makinerive sot është zhbllokuar dhe deri në Jazhincë qarkullimi i veturave zhvillohet në kushte dimërore.
“Sa i përket rrugës regjionale Tetovë- Jazhincë, në pjesën nga kufiri drejt fshatit Jazhincë, diku nga 500 deri në 800 metra ka pasur erë të fuqishme mbrëmë dhe sot në mëngjes. Ashtu që një pjesë e madhe e borës që ka qenë në afërsi është koncentruar në rrugë dhe ka marrë një sipërfaqe me lartësi nga dy deri në tre metër. Ekipet e “Rrugëve të Maqedonisë” kanë vepruar aty, kanë qenë të angazhuar edhe mjetë ndërtimore për shkak të pastrimit të këtij orteku. Tash momentalisht ekipet tona kanë arritur që të debllokojnë atë pjesë dhe komunikacioni është i rregullt në atë pjesë të rrugës regjionale”,- deklaroi drejtori i NP “Rrugët e Maqedonisë”, Gajru Kadriu.
Sa u përket rrugëve tjera në rajonin e Tetovës, me anë të një komunikate të lëshuar nga ana e komunës thuhet se po punohet vazhdimisht në pastrimin e rrugëve në të gjitha pjesët e qytetit dhe fshatrave të malësisë dhe të njëjtat janë të kalueshme.
“Është duke u pastruar në vazhdimësi rruga Sellcë-Llacë, Vicë, si dhe rrugicat dhe rrugët brenda këtyre fshatrave. Në këtë drejtim rrugor tani më janë angazhuar edhe dy makineri për pastrim të rrugëve. Rruga Shipkovicë- Brodec –Veshallë Bozofcë është duke u trajtuar edhe sot, dhe e njëjta është në gjendje të kalueshme”,- thuhet në komunikatën e lëshuar nga ana e komunës së Tetovës.
VISAR SADIKI
