Maqedoni
Gripi, 15.800 persona të sëmurë
06.01.2017 17:11
Në Maqedoni numri i të sëmurëve nga gripi është 15.800, duke u bazuar në të dhënat e javës së kaluar...

Në Maqedoni numri i të sëmurëve nga gripi është 15.800, duke u bazuar në të dhënat e javës së kaluar që kanë kërkuar ndihmë nga institucionet shëndetësore, theksoi Jovanka Kostovska nga Ministria e Shëndetësisë. Ajo gjithashtu theksoi se deri më tani nuk ka pasur raste të komplikuara si pasojë nga gripi.
“Nga të dhënat të cilat i kemi nga Instituti i shëndetit publik javën e kaluar janë paraqitur rreth 9500 të sëmurë nga gripi, por gjithsesi numri i të sëmurëve është më i madh, sepse ka persona të cilët nuk janë vizituar në mjek, por mjekohen në shtëpi. Por, gjithsej të sëmurë nga gripi janë 15 mijë e 800 persona, deri të premten e kaluar kaq janë regjistruar, por një gjë është e sigurtë, se numri i të sëmurëve nga gripi këtyre ditëve është rritur, por ajo që është më e mira që nuk kemi raste të rënda ose të komplikuara. Por, nga Klinika infektive deri më tani nuk ka pasur raste të rënda si pasojë e gripit, por as në repartet tjera infektive në qytete tjera”,- deklaroi këshilltarja shtetërore në Ministrinë e Shëndetësisë, Jovanka Kostovska.
Kostovska theksoi se Komisioni për sëmundje ngjitëse ka sjellë masa shtesë me të vetmin qëllim, për të ndjekur dhe për të parandaluar përhapjen e gripit si dhe se si duhet me kohë të mjekohet.
Një ndër masat rigoroze është parandalimi i vizitave në spital tek personat e sëmurë që janë të hospitalizuar me të vetmin qëllim, për të parandaluar përhapjen e gripit.
Gjithashtu në të gjitha institucionet shëndetësore është dërguar letër që të ndërmarrin masa që të kenë kuadër shëndetësor për kontrollim të pacientëve, barna të mjaftueshme, si dhe punonjës në institucionet shëndetësore dhe spitale dhe brenda këtyre dy muajve mos t‘u lejohet që të marrin pushim, theksoi Kostovska.
REJHANE BUSHI-METAJ
