Maqedoni

Kumanovë, intervenim i pamjaftueshëm për pastrimin e rrugëve

06.01.2017 17:40

Rrugë dhe trotuare të mbushura me borë, këto janë pamje të ditës së sotme në Kumanovë...

Edhe pse autoritetet lokale pohojnë se gjatë natës së kaluar janë hedhur 60 ton kripë nëpër rrugët e Kumanovës, megjithatë objektivi i kamerës sonë regjistroi pamje të rrugëve të papastruara, pamje këto që ngjasojnë me ato të vendeve siberiane.
 
Për mosintervenimin e mjaftueshëm të autoriteteve ankohen edhe qytetarët e Kumanovës, të cilët thonë se edhe pse ky acar i përcjellë me reshje të borës ishte i paralajmëruar, megjithatë autoritetet nuk bënë sa duhet për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve. 
 
Autoritetet lokale thonë se në acar të këtillë nuk po ndihmon as kripa e hedhur, pasi që në temperaturat nën minus 7 gradë celsius kripa nuk ka kurrfarë efekti, por megjithatë thonë se do të vazhdojnë me pastrimin e rrugëve me gjithë mekanizmin që e kanë në dispozicion.
 
Situata e njëjtë është edhe në komunën e Likovës. Kreu i Likovës, Sadulla Duraku, na njoftoi se disa nga rrugët kryesore janë pastruar, mirëpo era e fortë nga veriu po bën që rrugët e pastruara sërish të mbulohen me borë. 
 
NEXHAT AQIFI