Maqedoni

Bora mbrëmë bllokoi disa akse rrugore, gjatë ditës gjendja u normalizua

06.01.2017 17:52

Shtresat dhe reshjet e mëdha të borës mbrëmë bllokuan shumë magjistrale dhe vështirësuan tej mase komunikacionin...

Shtresat dhe reshjet e mëdha të borës mbrëmë bllokuan shumë magjistrale dhe vështirësuan tej mase komunikacionin në disa akse rrugore në vend. Rreth 1 orë e gjysmë u bllokua autostrada Shkup-Veles. Shumë automjete të rënda nuk lëviznin dot për shkak të kolonës së gjatë të veturave të bllokuara në borë.
 
“Kemi pritur gati një orë e gjysmë në kolonë, e cila ishte e gjatë rreth 5 kilometra. Rruga për në Veles ishte tërësisht e bllokuar nga automjete të lehta dhe të rënda, ndërsa u vërejtën dhe disa aksidente të vogla”,- deklaroi një qytetar i bllokuar në autostradën Shkup- Veles.
 
Reshjet e bores bllokuan dhe fshatin Cërni Vër të Shkupit. Shumë banorë  të kësaj zone prej mbrëmë janë të izoluar. Rruga kryesore drejt këtij fshati është akoma e papastruar prej mbrëmë.
 
“Gjendja momentalisht në fshatin Crni Vër është e bllokuar, deri në këto momente nuk ka deportuar asnjë makineri pastrimi. Komunën e kemi kontaktuar, na kanë thënë që ekskavatori është lëshuar që prej orës 8, por në fshat momentalisht nuk ka deportuar”,- tha banori i Crni Vërit, Sabedin Baftjari.
 
Ndërprerje e komunikacionit u regjistrua edhe në Vallandovë, Dojran, Koçan dhe Shtip. 
 
Komunikacioni rrugor në autostradën Shkup-Veles sot është normalizuar dhe zhvillohet pa pengesa, në kushte dimërore dhe me shikim të zvogëluar të rrugës. Edhe në Shkup gjendja e rrugëve gjatë ditës u normalizua. Ekipet e pastrimit mbrëmë hodhën mbi 180 ton kripë në kryeqendër.
 
“Ekipet e pastrimit, për mendimit tim, kanë pastruar shumë rrugë kryesore në Shkup. Komunikacioni rrugor për momentin zhvillohet pa pengesa, megjithëse mbeten të papastruara ende shumë rrugica në Shkup”,- theksoi një qytetar.
 
“Me shumë pengesa po zhvillohet komunikacioni rrugor në Shkup, është e papastruar bora, shumë rrugë mbetën akoma të mbuluara me borë”,- tha një qytetar. 
 
Në Strazhë, Mavrovë, Pletvar, Kriva Pallank, Katllanovë si dhe në kalimin kufitar Qafëthanë vazhdon ndalim-qarkullimi për automjetet e rënda. 
 
Nga Automoto e Maqedonisë u apelojnë drejtuesve për kujdes të veçantë gjatë vozitjes së veturave dhe përshtatje të shpejtësisë së automjeteve sipas kushteve rrugore. Në asnjë mënyrë nuk është e lejueshme në komunikacion të kyçen automjetet pa zinxhir dhe goma dimërore. Komunikacioni ajror dhe hekurudhor deri tani po zhvillohet pa pengesa.
 
REXHEP QAMILI