Maqedoni
LSDM fillon bisedimet me Lëvizjen BESA
06.01.2017 18:08
9 janari është dita e fundit kur presidenti, Gjorge Ivanov, duhet t’ia ndajë mandatin kandidatit të partisë...

9 janari është dita e fundit kur presidenti, Gjorge Ivanov, duhet t’ia ndajë mandatin kandidatit të partisë apo partive që do të arrijnë të mbledhin të paktën 61 deputetë në parlamentin e ardhshëm, shumicën minimale për të formuar qeverinë e re.
Nga presidenca e Gjorge Ivanov thonë se mbeten në qëndrimin që ka thënë presidenti, se do ta respektojnë Kushtetutën në dhënien e mandatit mandatarit për formimin e qeverisë.
Edhe pse partitë politike shqiptare ende nuk kanë dalë me ndonjë qëndrim konkret se kë do të përzgjedhin për kualicionim dhe se a do të arrijë të unifikojnë qëndrimet, LSDM filloi bisedimet me Lëvizjen BESA.
Lideri i socialdemokratëve, Zoran Zaev, i shoqëruar nga sekretari gjeneral i partisë, Oliver Spavovski, zhvilloi takim me liderin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
Nga Lëvizja BESA thanë se takimi me kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev, ka ndodhur spontanisht dhe i paplanifikuar më parë.
“Takimi ishte joformal, ku janë këmbyer ide se si mund të kthehet vendi në agjendën euroatlantike, se cili duhet të jetë kursi i shtetit në të ardhmen dhe se si mund të bëhet kjo. Ditëve në vijim do të realizohen takime formale dhe do të mund t’ju informojmë më detajisht se çfarë është biseduar”,- thanë nga Lëvizja BESA.
SANIJE DURAKU
