Maqedoni
Takimi i Prishtinës, pritet ratifikimi i dokumentit të përbashkët
06.01.2017 16:21
Pas takimit në Tiranë dhe atij në Prishtinë, partitë politike shqiptare, përveç PDSh-së...

Pas takimit në Tiranë dhe atij në Prishtinë, partitë politike shqiptare, përveç PDSh-së, kanë afruar qëndrimet për hartimin e një dokumenti të përbashkët si bazament për fillimin e bisedimeve me mandatarin e ri për bashkëqeverisje.
Dokumentin fillimisht duhet ta ratifikojnë kryesitë e partive respektive.BDI paralajmëroi se dokumenti do të bëhet publik gjatë të shtunës.
“Ne kemi theksuar se nuk do të bisedojmë për partitë politike maqedonase përderisa do të përfundojë procesi i koordinimit të partive shqiptare dhe të miratohet një dokument ose një memorandum i përbashkët, i cili do të shpreh vullnetin e shqiptarëve në përgjithësi, pavarësisht se cilës parti politike ata i takojnë”,- deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Sipas nënkryetarit të Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimit, Tirana dhe Prishtina nuk kërkojnë platformë të përbashkët të të gjitha partive shqiptare, por unifikim të qëndrimit rreth çështjes shqiptare në Maqedoni dhe mbështetjen e procesit eurointegrues të vendit.
“Ai na inkurajoi që të vazhdojmë të mbështesim rrugën euroatlantike të Maqedonisë dhe të mund të koordinohemi rreth çështjes së përgjithshme të shqiptare në Maqedoni. Takimi ka pasur një karakter inkurajues, informativ dhe konsultues, dhe nuk ka pasur ndonjë epilog obligativ për asnjë pale. Presidenti i Kosovës nuk insiston për asnjë platformë të përbashkët, por ai insiston që partitë politike shqiptare të mund ta unifikojnë qëndrimin e tyre rreth çështjes shqiptare në Maqedoni”,- tha nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi.
Palët kanë qëndrim unanim sa i përket dekriminalizimit të politikës dhe zbardhjen e rasteve të pretenduara për raste të montuara përmes mbështetjes së Prokurorisë Speciale, barazi ekonomike dhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe në nivel republike.
SHPËTIM NUREDINI
