Botë
Sulmi në tregun e Krishtlindjeve mund të ishte parandaluar
06.01.2017 21:04
Anis Amri, i cili drejtoi një kamion në një treg Krishtlindjesh në Berlin duke vrarë 12 persona, ishte ilegalisht i regjistruar me 14 identitete, sipas zyrtarëve gjermanë...

Ka qenë kreu i policisë kriminale në shtetin e Rinit Verior dhe Vestfalisë, ai që ka bërë publike këto detaje. Sipas tij, hetuesit bënë gjithçka ata mundën për të parandaluar një sulm, por autoritetet lokale akuzohen se nuk e kanë mbajtur Amri nën mbikëqyrje, duke i lejuar atij të udhëtonte i lirë. Autoritetet e shtetit pranuan se krimi në Berlin u kryer nga një person për të cilin autoritetet e sigurisë dinin shumë.
Tuniziani 24-vjeçar Anis Amri, ishte regjistruar fillimisht në Kleve, në Rinin Verior dhe Vestfali, përpara se ai të zhvendosej drejt Berlinit, në shkurt të vitit të kaluar. Kërkesa e tij për azil u refuzua në qershor, 11 muaj pas mbërritjes së tij në Gjermani nga Italia, ku ai kishte qëndruar në burg për 4 vite.
Tunizia kishte refuzuar ta pranonte sërish Amri, pasi ai nuk kishte dokumenta të vlefshme dhe 24-vjeçari përfitoi nga aparati i fragmentarizuar i sigurisë në Gjermani për t’iu shmangur hetimeve. Policia shtetërore kishte kërkuar ndjekjen penale të Amri në shkurt 2016, pasi ai mendohej se po planifikonte një akt dhune ndaj shtetit.
Çështja ju dorëzua autoriteteve në Berlin, por pamjaftueshmëria e provave dhe fakti se zyrtarët kishin shteruar të gjitha kompetencat ligjore për ta çuar Amri në gjykatë, e bëri të pamundur parandalimin e rreziqeve potenciale.
Indetitetet e shumëfishta i kanë lejuar Amri të përfitojë shuma të mëdha nga fondet e mirëqenies sociale. Pas sulmit, tuniziani mundi të arratisej drejt Amsterdamit, Brukselit, Lionit dhe Milanos, ku ai u qëllua për vdekje nga policia.
Autoritetet kanë lajmëruar planet për përforcimin e mënyrës si trajtohen azilkërkuesit e refuzuar dhe përmirësimin e monitorimit mbi të dyshuar që identifikohen si kërcënim për sigurinë./Oranews.
