Moti i keq, vështirëson komunikacionin në vend
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet në mënyrë të vështirësuar, në kushte dimërore, nëpër rrugë të lagështa dhe me borë nëpër rrugë...

Ndalesa dhe kufizime ka në më shumë akse rrugore. Ndalesë për lëvizje prej orës shtatë në mëngjes është vendosur në aksin rrugor, f. Krupishte – Probishtip.
Ndalesa për komunikacion për automjete transportuese ka në vendet malore Strazhë, Mavrovë, Gjavato, aksi rrugor Kriva Pallankë – vendkalimi Deve Bair dhe aksi rrugor Veles –Katllanovë.
Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është rritur, ndërsa në vendkalime nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.
Bora ka bllokuar edhe disa fshatra malore, siç ka qenë rasti me fshatin Cërni Vër të Shkupit.
Por pas intervenimit të ekipeve për pastrim shumica e rrugëve sot kanë qenë të kalueshme. Ekipet e pastrimit në kryeqendër kanë hedhur mbi 180 tonë kripë.
Ndërsa paralajmërojnë se mirëmbajtja e rrugëve do të vazhdojë derisa të mbretërojë një gjendje e këtillë e motit, ku sipas metereologëve temperaturat gjatë natës zbresin edhe në minus 22 gradë.
Rreshjet e borës me erë të fuqishme kanë vështirësuar qarkullimin përfshi edhe aksin Tetovë-Jazhincë, pasi bora kishte arritur deri në dy metra.
Por nga ndërmarrja Rrugët e Maqedonisë thonë se pas intervenimit të ekipeve të tyre rruga është pastruar dhe është e qarkullueshme. Edhe rrugët në qytetin e Tetovës janë të kalueshme, njoftojnë nga pushteti lokal.
Ndërkohë, Kumanovarët ankohen për mosintervenim të mjaftueshëm të pushtetit lokal për pastrimin e rrugëve që e vështirëson lëvizjen e tyre.
Por nga pushteti lokal thonë se kanë hedhur 60 tonelata kripë, por në këtë acar të madh nuk po ndihmon as kripa e hedhur.
Edhe në Dibër reshjet e bores vështirësuan komunikacionin. Në disa vendbanime trashësia e borës arriti deri në 80 centimetra.
