Maqedoni
Takimet e liderëve me Ramën dhe Thaçin, Ibrahimi: synojnë unifikimin e qëndrimeve
07.01.2017 14:35
Takimet e liderëve shqiptarë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe së fundmi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, kanë për qëllim zbutjen e fërkimeve politike të liderëve fitues të zgjedhjevе...

Takimet e liderëve shqiptarë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe së fundmi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, kanë për qëllim zbutjen e fërkimeve politike të liderëve fitues të zgjedhjeve dhe unifikimin e kërkesave shqiptare kundrejt mandatarit maqedonas.
Analisti politik, Selim Ibrahimi, thotë se Rama dhe Thaçi janë në rolin e zbutjes së tensioneve ndërshqiptare.
“Mendoj se më së shumti është një presion që vjen nga brenda për shkak të raportit të forcave politike në Maqedoni, pra raportit të forcave shqiptare të rezultatit që doli nga zgjedhjet e 11 dhjetorit. Mendoj se Shqipëria dhe Kosova këtu kanë rolin e zbutjes së fërkimeve politike, pra të tensioneve ndërshqiptare në Maqedoni për arritjen e një platforme të përbashkët, pra të daljes së partive shqiptare përballë mandatarit maqedonas me kërkesa konkrete”,- deklaroi analisti politik, Selim Ibrahimi.
Sipas Ibrahimit takimet mund të japin rezultate konkrete vetëm nëse liderët shqiptarë ulen dhe konkretizojnë bisedimet me krerët e Shqipërisë dhe Kosovës, dhe unifikimi i qëndrimeve është më se i domosdoshëm.
“Është e domosdoshme që partitë politike shqiptare të krijojnë një zë përballë mandatarit maqedonas. Një aspekt tjetër që duhet analizuar është se sa do të mund që Ahmeti, Sela dhe Kasami të bëhen bashkë dhe të dalin me një platformë afatgjate para hyrjes në qeveri. Takimet e fundit mund të japin rezultate konkrete vetëm nëse drejtuesit e partive politike do të ulen përsëri dhe t’i bëjnë marrëveshjet aktive, pra konkrete përballë palës maqedonase, qoftë VMRO-DPMNE-së apo LSDM-së”,- tha analisti politik, Selim Ibrahimi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dje në Prishtinë ka takuar liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni, Ali Ahmetin, Ziadin Selën dhe Bilall Kasamin.
Në takim është diskutuar nevoja për një koordinim të mirëfilltë të faktorit politik shqiptar, që ka për qëllim respektimin e vullnetit të lirë dhe demokratik të votuesve shqiptarë të shprehur në zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni.
MERAL ISMAILI
