Botë

Basha, të ndërpritet çdo angazhim me Beogradin

07.01.2017 15:40

Kryetari i PD, Lulzim Basha i ka bërë thirrje qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë që t’i kërkojnë Francës lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Ramush Haradinajt...

Gjithashtu, në një postim në Facebook, Basha ka kërkuar që qeveritë e dy vendeve të ndërpresin çdo lloj angazhimi me Beogradin deri në tërheqjen e të gjitha urdhër-arresteve ndërkombëtarë të Serbise ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ndërsa Rama duhet të kuptojë më në fund se dorëzimi i tij para qeverisë serbe pa kushte dhe pa asnjë dobi për shqiptarët duhet të marrë fund”, ka thënë Basha.

Në profilin e tij Basha ka bërë me dije se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Anita Haradinajn, bashkëshorten e Ramushit të cilës i ka shpreh shqetësimin dhe revoltën e tij për këtë goditje tjetër të pabesë serbe ndaj heroit të Kosovës dhe mbështetjen e tij të plotë personale dhe politike.

Basha ka shprehur bindjen e tij se, sot të gjithë shqiptarët janë me Ramush Haradinajn, pavarësisht bindjeve politike dhe përkatësive partiake, ndërsa Anita i ka thënë se Ramushi është plot kurajo dhe mbi të gjitha me besim se asgjë nuk mund të frenojë përparimin e Kosovës.